Njohësi juridik paralajmëron pasojat në rast se ka ndryshime territoriale Njohësi juridik paralajmëron pasojat në rast se ka ndryshime territoriale
Faza finale e dialogut Kosovë-Serbi mund të rezultojë edhe me ridefinim të kufirit shtetëror të këtyre dy vendeve dhe këtë e konfirmoi edhe Presidenti... Njohësi juridik paralajmëron pasojat në rast se ka ndryshime territoriale

Faza finale e dialogut Kosovë-Serbi mund të rezultojë edhe me ridefinim të kufirit shtetëror të këtyre dy vendeve dhe këtë e konfirmoi edhe Presidenti i Kosovës, udhëheqës i dialogut, Hashim Thaçi, shkruan Indeksonline.

“Në rastin e njohjes reciproke mes dy vendeve natyrisht se do të kemi kufi shtetëror, diku 400 km. Shpresoj, se do ta kemi mbështetjen e plotë të NATO-s. Do të kemi korrigjim të kufirit, vënien e kufirit dhe në kuadër të këtij procesi”, kishte thënë Thaçi.

Këtë ide e përkrahu edhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq.

“Unë angazhohem dhe kjo është politika ime, për ridefinimin e kufijve me shqiptarët, dua kufi të qartë me Kosovën”, deklaroi Vuçiq.

Por, a mund të ketë lëvizje të kufirit apo shkëmbim territoresh sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, tregon juristi, ligjërues universitar, Flamur Hyseni, për Indeksonline.

Sipas Hysenit, këto deklarata janë të karakterit politik – institucional dhe kjo nuk është aspak e lehtë të bëhet në bazë të kushtëzimeve dhe dispozitave të Kushtetutës.

“Kjo nuk është aspak e lehtë të bëhet, sepse, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është një dispozitë shumë e saktë dhe strikte sa i përket territorit të Republikës së Kosovës, tashmë të njohur edhe ndërkombëtarisht. Në nenin 1, paragrafi 1, përcaktohet se, “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, ndërsa paragrafin 3, thuhet se, “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”. Këto janë kushtëzimet kushtetuese, të Kosovës në raport me shtetet tjera dhe shteteve tjera në raport me Kosovën. Është shumë e paqartë se si ka mundësi që, përderisa është në fuqi kjo dispozitë kushtetuese, të hapen tema të tilla dhe madje tema shumë të ndjeshme”, ka thënë Hyseni për Indeksonline.

Njohësi i çështjeve juridike, Flamur Hyseni, thotë se ka praktika ndërkombëtare me të cilat mund të arrihnt marrëveshje të tilla, por në kushte të tjera dhe jo në raporte të brishta si ato Kosovë-Serbi.

“Ka praktika ndërkombëtare, ku shtetet arrijnë marrëveshje të tilla, por ato shtete  paraprakisht, plotësojnë një kusht shumë të rëndësishëm, kur për një kohë të gjatë e dëshmojnë se, janë në mardhënie miqësore ndërmjet vete dhe kanë kontribuar për paqen së pari, mes vete, pastaj në rajon dhe më gjerë. Te rasti i raporteve Serbi Kosovë, ne kemi raporte të brishta, si rezultat i qëndrimeve të Serbisë dhe dialogu që është zhvilluar deri më tani, ka pas qëllime tjera, por jo edhe çështjen e territorit shtetëror, i cili është konfirmuar si i tillë dhe kompaktësia e tij edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, shtoi Hyseni.

Për më tepër, sipas Flamur Hysenit, Profesor në Universitetin e Prishtinës, arritja e një marrëveshje për ndryshim territorial nuk do të krijonte stabilitet, por pakënaqësi në të dyja vendet.

“Nuk e besojë se do të ndikojë në stabilitetin e dy shteteve arritja e një marrëveshje për çështje të territorit, sepse kjo, mund të sjellte rezultatet vetëm kur shtetet do të ishin për një kohë të gjatë në miqësi dhe fqinjësi të mire. Ndërsa, poqëse permes kësaj dinamike deklarative nga bartësit institucional, synohet t’i paraprihet çështje së demarkacionit dhe arritjes së marrëveshjes së tillë, e cila do të ndodhë, sipas gjitha gjasave deri, më 2025, kjo është mëse e natyrshme se, vija kufitare nuk mund të ndodhë saktë siç duam ne dhe siç dëshirojnë ata. Është kufi mjaft i gjatë dhe i banueshëm, ku ka edhe prona private dhe natyrisht se, kjo do të prodhojë pakënaqësi te banorët e dy shteteve. Me këtë dinamikë, po tentohet të përgatiten popujt e dy shteteve se, siç është thënë: “… disa fshatra do të mbesin nga Kosova e disa nga Serbia…”, deklaroi Hyseni.

“Arritja e një marrëveshje së demarkacionit është diçka tjetër, për dallim nga marrëveshja për me dhënë dhe për me marrë territor. Tashmë, e kemi përvojën e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi”, përfundon ai./Indeksonline/