Prof. Dr. Lisen Bashkurti për sovrani.info.   Demokracia është përballë sfidave serioze të sigurisë. Madje edhe demokracitë genuine, tradicionale dhe të konsoliduara po ballafaqohen...

Prof. Dr. Lisen Bashkurti për sovrani.info.

 

Demokracia është përballë sfidave serioze të sigurisë. Madje edhe demokracitë genuine, tradicionale dhe të konsoliduara po ballafaqohen seriozisht me kërcënime dhe rreziqe sigurie kudo dhe në çdo kohë.

 

Ndërkohë që shohim e lexojmë cdo ditë se si rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë po tronditin themelet e demokracisë, për paradoks, politikanë, analistë dhe opinionistë të ndryshëm në Shqipëri dhe Kosovë po “kritikojnë” prioritizimin e sigurisë në “dëm” të demokracisë, po analizojnë “paradigmat” që burojnë nga “dobësimi” i vlerave demokratike nën “arsyetimin e sigurisë” e të tjera formulime variacionale të këtij thelbi.

Pa hyrë fare në këtë debat pa kurrëfare baze realiste dhe shkencore mendoj se në Shqipëri,  Kosovë dhë përreth rreziqet dhe kërcënimet përbëjnë shqetësim shumë serioz për demokracinë. Kjo për disa arsye themelore.

Së pari, Shqipëria dhe Kosova janë demokracitë reja dhe në tranzicion. Kushtetutat, ligjet, rregullat nuk kanë akoma një mbështetje në sistemin e drejtësisë. Në të dy vendet tona, me disa ndryshime përkatëse, nuk kemi sisteme drejtësie të pavarura, me integritet dhe profesionalitet të lartë. Këto sisteme drejtësie krijojnë vrima të rrezikshme për shtetin ligjor, rendin kushtetues, lirinë e të drejtat e njeriut.

Këto sisteme drejtësie të dobëta dëmtojnë ose paralizojnë tërësisht agjensitë e zbatimit të ligjit. Kaosi institucional prodhohet parasegjithash nga sistemet e dështuara të drejtësisë. Kaosi ështe mjedisi më i favorshëm për rreziqe dhe kërcënime të demokracisë.

Së dyti, Shqipëria dhe Kosova, me disa ndryshime, kanë probleme në sistemet e sigurisë kombëtare. Për shkak të antarësimit në NATO (Shqipëria)  dhe të pranisë së KFOR ( Kosova) të dy vendet nuk kërcënohen kryesisht nga jashtë, por më shumë nga dobësitë e brendshme. Agjensitë inteligjente, strukturat analitiko-parashikuese, agjensitë e anti-krimit, anti-korrupsionit, anti-terrorit, kundër larjes së parave dhe trafiqeve të paligjshme ekzistojnë, por duket të jenë profesionalisht të dobëta si dhe të fragmentarizuara nga njëra-tjetra. Kjo gjendje i ka lënë dy vendet tona me imunitet të dobët për parandalimin,  menaxhimin dhe zgjidhjen e krizave nga rreziqet dhe kërcënimet serioze. Ky vakum në sistemin e sigurisë i krijon hapsirë elementeve, grupeve dhe strukturave kriminale e terroriste për destabilitet.

Së treti, mjedisi Ballkanik është fragjil. Ka shtete të reja, shtete të dobëta dhe shtete në tranzicion. Këto kategori shtetesh nuk arrijnë të krijojnë një rrjet bashkepunimi fqinjësor dhe dhe rajonal të sigurisë. Dobësive të brendshme të këtyre shteteve u shtohen edhe problemet që ato kanë përkundër njëri-tjetrit.

Në një mjedis fqinjësor dhe rajonal plot fobi dhe armiqësi të fushave dhe niveleve të ndryshme është krejtësisht e mundshme që strukturat e krimit transnacional dhe të terrorizmit të operojnë pa ndeshur në rezistencë Rajonale.

Së katërti, Shqipëria dhe Kosova po bartin brenda tyre edhe dobësitë që ka sistemi i sigurisë se Bashkimit Evropian. Këto dobësi po i skanon qartësisht kriza e Lindjes së Mesme dhe pasojat humanitare të saj. Valët milionëshe të refugjatëve nga Siria, Iraku dhe Afganistani zbulojnë paaftësinë e BE dhe aleatëve të saj strategjikë për të parandaluar krizën humanitare me anë të kërkimit të zgjidhjes në vendet e krizave tash pesë vjet, sikundër edhe dobësitë e sistemit Shengen për sigurinë e brendshme në Kontinent. Sot BE është përballë dilemës: të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe evropiane për refugjatët e luftrave civile apo të shtërngojë masat kufitare të hyrjes së refugjatëve për shkaqe sigurie. Kjo dilemë tanimë po godet edhe Ballkanin, Shqipërinë dhë Kosovën. BE jo vetëm që nuk i ndihmon dot këto vende, por po i përfshinë ato në qerthullin e krizës të vet.

Së fundi, jo nga rëndësia, por renditja është pozicioni i tërhequr i ShBA në Ballkan. Duket qartë se  ShBA nën administratën Obama po ia kalon sfidat Ballkanike më së shumti Bashkimit Evropian. BE nuk mund të marrë përsipër edhe për disa kohë sfidat Ballkanike. Prandaj tërheqja e ShBA mund të krijojë një vakum në mjedisin e dobët të sistemit të sigurisë në Ballkan. Dobësitë e BE  nga njëra anë si dhe ballfaqimi me krizën në Lindjen e Mesme dhe atë të refugjatëve nga ana tjetër, mund të rikthej Ballkanin në pellg krimi e terrorizmi ndërkombëtar. Për këto shkaqe ShBA lypet të rrisë praninë dhe rolin për sigurinë në Ballkan sa më shpejt. Nesër mund të jetë vonë.

Për të gjitha shkaqet e mësipërme Shqipëria dhe Kosova nevojitet të riformulojnë strategjitë e sigurisë kombëtare, afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë, të forcojnë institucionet e sigurisë, të rritin bashkëpunimin dypalësh me tërë strukturat homologe të sigurisë, të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal si dhe me partnerët strategjikë, ShBA, NATO  dhe BE. Pa këto masa demokracia e brishtë në Shqipëri, Kosovë e Ballkan do të vihej në rrezik serioz.