Shumica e kryetarëve të komunave, që udhëhiqen nga PDK-ja, janë të dyshuar, të akuzuar ose të dënuar për vepra të ndryshme penale. Nga kryetarët...

Shumica e kryetarëve të komunave, që udhëhiqen nga PDK-ja, janë të dyshuar, të akuzuar ose të dënuar për vepra të ndryshme penale.

Nga kryetarët aktualë, vetëm Besim Ilazi i Kaçanikut, Idriz Vehapi i Rahovecit dhe Naim Ismajli i Shtimes nuk kanë probleme ligjore. 7 të tjerët vazhdojnë të udhëheqin komunat e tyre nën akuza të ndryshme, e edhe të dënuar pikërisht, për keqpërdorim të detyrës së tyre, siç është rasti i Ramadan Mujës së Prizrenit.

Sami Lushtaku i Skenderajt, është i dënuar me 12 vjet burgim për krime lufte dhe në pritje të procesit tjetër gjyqësor, i njohur si rasti i KEK-ut. Aty, i pari i Skenderajt, dyshohet se ka ndikuar që nipit të tij t’i jepet një tender për sigurimin fizik të KEK-ut, në vlerë prej më shumë se 6 milionë.

Komuna e afërt, Drenasi, e ka të dënuar kryetarin Nexhat Demaku me 1 vit e 6 muaj burgim dhe një tjetër proces gjyqësor që do të vazhdojë këtë muaj. Salim Jenuzi i Dragashit ka qenë i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, bashkë me konsullin e Kosovës në Sofje, por Gjykata e shpalli të pafajshëm vitin e kaluar.

Nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, u lirua edhe Bajram Mulaku i Vushtrrisë dhe Begzad Sinani i Kamenicës. Por, ky i fundit është tashmë nën hetime të reja për gjueti jashtë sezonit, që është e ndaluar me ligj.

Ligjin e kanë thyer edhe ish-kryetarët nga PDK-ja që kanë udhëhequr me Ferizajn, Kaçanikun, Lipjanin e Gjilanin. Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, u dënua me 4 muaj burgim me kusht për mosdeklarim të pasurisë, ndërkaq kolegu i tij nga Vitia, Nexhmedin Arifi me 18 muaj burgim me kusht për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare. Për një kohë, Prokuroria e hetoi edhe ish-kryetarin e Gjilanit, Qemajl Mustafa, për tenderë me rrugë, por kurrë nuk u akuzua.

Jo vetëm që kanë pasur problem me ligjin, por kryetarët e komunave të PDK-së edhe e kanë sfiduar shtetin. Xhabir Zharku lehtësisht është arratisur nga Kosova, pasi u dënua me 3 vjet burgim dhe së shpejti mund edhe t’i parashkruhet lënda për shkak të vjetërsisë.

I fundit me probleme të tilla është Sokol Bashota i Klinës që Prokuroria po e heton për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përcjell koha.net. Bashota, tani për tani, ka ndjekur shembullin e kolegut të tij partiak, Xhabir Zharkut. Ai të enjten tërë ditën i ka ikur ballafaqimit me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit.

Një ftesë për t’u paraqitur në Polici, Bashotës i është bërë për të martën. Sipas ligjit, nëse ai nuk paraqitet, Prokuroria kërkon nga Gjykata që të lëshohet urdhër-arrest për të.-transmeton Koha.net