Përvjetori i tetë i shtetësisë që për pushtetin do të jetë festë, e për opozitën protestë, ka ashpërsuar edhe më shumë gjuhën mes pushtetit...

Përvjetori i tetë i shtetësisë që për pushtetin do të jetë festë, e për opozitën protestë, ka ashpërsuar edhe më shumë gjuhën mes pushtetit e opozitës, raporton KTV.

Për liderët në pushtet, opozita po synon grushtet. Kryeministri Isa Mustafa thotë se nuk do të lejojnë që të shkatërrohet shteti nga ata që ulërijnë serbisht nëpër sheshe të Prishtinës me gurë e koktej molotovi.

Thotë se nuk do të lejojnë vrasje e djegie të policëve kosovarë nga dhuna e opozitës. Deklarimet, shefit ia përforcoi vartësi i tij Hashim Thaçi.

Tha se nuk do të tërhiqen para asnjë shantazhi të kujtdo qoftë. Për Thaçin dhuna e tre liderëve opozitarë po i ndihmon PDK-së e LDK-së, por po dëmton shtetin. Thaçi që nisi të flasë më shumë si lider partie nga objekti qeveritar, tha se opozitës mund t’i përgjigjen me një milion njerëz në shesh në mbrojtje të Republikës.

Tash që po i llogarit ditët e fundit si zëvendëskryeministër, është i bindur se do të zgjidhet president, por nuk ka treguar nëse do të pranojë që këtë detyrë ta marrë në sallën alternative.

Për veprimet që opozita i ka paralajmëruar të njëjta kurdo që do të ketë seancë, shefi i qeverisë, Isa Mustafa, thotë se nuk u duhen ndërmjetësues ndërkombëtarë, por zgjidhjen do ta bëjnë vetë, bashkë me opozitën.

Kryeministri thotë se në Bruksel flet shqip me Vuçiqin, e sa për përshëndetje në gjuhën serbe, tha se po tregon kulturë karshi homologut të tij serb. Mustafa tha se serbisht po flasin më shumë ata që po thirren në mbrojtje të Republikës.

Të gjitha këto deklarime shefave qeveritarë u bënë, pas një takimi që zhvilluan me përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe me përfaqësues të tjerë të federatave të sindikatave të vendit.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, tha se ata kanë zgjedhur mënyrën e dialogut për t’i zgjidhur problemet dhe jo protestat dhe dhunën.

Menjëherë pas këtyre deklaratave ka reaguar Visar Ymeri i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Përfaqësuesit e ‘Zajednicës’, Mustafa e Thaçi, paskan filluar prapë t’i kërcënojnë qytetarët protestues. Gjuha e egërsuar e tyre e dëshmon frikën personale që e kanë nga protestat. E kanë kuptuar që koha e tyre ka kaluar, që legjitimiteti politik e demokratik i tyre nuk ka ekzistuar kurrë. Shpifjet e tyre paranojake për vrasje policësh e grushtshtet janë shqelmat e fundit”, thotë Ymeri në reagimin e tij.