Presidenti Thaçi ka shkelur kushtetutën. Pasojat dihen – ai duhet dhënë përgjegjësi! Presidenti Thaçi ka shkelur kushtetutën. Pasojat dihen – ai duhet dhënë përgjegjësi!
Fjala e Dr. Avdullah Hotit, Kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-ës – inicuese e Seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës Presidenti Thaçi duhet... Presidenti Thaçi ka shkelur kushtetutën. Pasojat dihen – ai duhet dhënë përgjegjësi!

Fjala e Dr. Avdullah Hotit, Kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-ës – inicuese e Seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës

Presidenti Thaçi duhet të deklarohet lidhur me falënderimin që ja bëri atij personalisht – presidenti turk. Është e qartë se Presidenti i ka tejkaluar autorizimet e tij kushtetuese, dhe rrjedhimisht ka shkelur kushtetutën. Pasojat e kësaj shkelje dihen.

Dhe kjo sigurisht se nuk do të kalojë pa dhënë përgjegjësi.

Përfaqësuesit e institucioneve, brenda gjashtë muajve, po na shpijnë nga një krizë në tjetrën, nga një aferë në tjetrën, nga një dështim në tjetrin, duke rrezikuar rezultatet e deritashme të shtetit tonë të ri, të arritura me djersë e me gjak të patriotëve, aktivistëve, luftëtarëve e qytetarëve të shumtë.

Sot duhet të merremi me skandalin e radhës, në vend se të merremi me problemet e jetës së qytetarëve, me arsim e shëndetësi, me varfërinë dhe zhvillimin ekonomik, me punësimin, me pensionet, me bujqësinë që nuk ka Ministër, problemet me energji, me zbatimin e pakove fiskale, me promovimin e investimeve.

Ne të gjithë u shtangëm më 29 mars, e harruam 22 dhjetorin e vitit të kaluar, nga lajmi se gjashtë shtetas turq ishin kidnapuar dhunshëm në pikë të ditës, para nxënësve, kolegëve e familjarëve të tyre.

Në vend që të intervistoheshin nga organet kompetente në Prishtinë, ata u deportuan me urgjencë në Turqi.

Të shtangur kishin mbetur Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit, por jo Presidenti. Për një kohë, institucionet nuk konfirmonin nëse këta persona ishin dëbuar menjëherë apo mbaheshin në Kosovë. Në shtetin demokratik të Kosovës, atyre nuk ju lejua asnjë kontakt me familjarët dhe avokatët.

Agjencia për Inteligjencë, bazuar në nenin 6 të Ligjit për të Huajt, kishte kërkuar revokimin e lejes së qëndrimit me arsyetimin se “përbënin rrezik për sigurinë kombëtare”.

Si mund të përbënin rrezik njerëz që kishin arsimuar gjenerata të tëra?

Njëri nga avokatët e këtyre personave kishte deklaruar se 80 për qind e politikanëve, përfshirë Presidentin Thaçi, i kanë shkolluar fëmijët në kolegjin Mehmet Akif.

Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, i Ministrisë së Brendshme, të njëjtën ditë kishte revokuar lejet e qëndrimit. Në vendim, palët e pakënaqura kishin të drejtë ankese. Për shkak të deportimit me urgjencë, ata nuk kishin pasur mundësi ankese. Kështu, shteti i Kosovës kishte shkelur pikën 3 të nenit 6 të Ligjit për të Huajt.

Ata me nguti ishin deportuar me aeroplan të inteligjencës turke. Lejen për zbarkimin e këtij aeroplani e kishte dhënë Ministri Lekaj.

Kryeministri Kosovës, ishte mbajtur në terr informativ nga vartësit e tij – informohet në një takim në restaurant privat!?

Prokuroria e Shtetit u shfaq konfuze, nuk e dinte çfarë ka ndodhur. Agjencia për Inteligjencë kishte shkelur nenin 25 të ligjit të saj, që e obligon të informojë prokurorinë kur rrezikohet siguria kombëtare.

Në anën tjetër, takimi i krerëve të shtetit, për çështje të rëndësisë e sigurisë nacionale, ndodhi në një restorant privat!?

Kryeministri nuk mundi të shkarkojë Drejtorin e Agjencisë për Inteligjencë. Ky Drejtor, sot nuk u paraqit as në Komision Parlamentar.

– Kujt i raporton ky drejtor, nëse jo Kryeministrit dhe Komisionit Parlamentar? U shkarkuar, ndërkaq, vetëm Ministri i Brendshëm, pasi vjen nga një partner i vogël i koalicionit.

Deklarimi i z.Veseli se ngjarje të tilla nuk do të përsëriten asnjëherë nuk ka kuptim për familjarët e këtyre personave. Shkelja e të drejtave njerëzore të këtyre personave nuk mund të riparohet me asnjë veprim që shteti mund të ndërmarrë tash e tutje.

Dëmet e pariparueshme shtetit të Kosovës karshi BE-së dhe Institucioneve ndërkombëtare?

Imazhi i Kosovës, si shtet i ri me orientim evropian, ku sundon rendi e ligji, është dëmtuar seriozisht dhe pariparueshëm.

Konventat ndërkombëtare, në veçanti Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndalojnë rreptësisht dëbimin e individëve në shtetet në të cilat rrezikohet keqtrajtimi i tyre, posaçërisht kur kjo bëhet pa ligj dhe pa mundësi ankese.

Organizata vendore e ndërkombëtare për mbrojtën e të drejtave të njeriut, si Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Fondacioni i të Drejtave të Njeriut me bazë në Nju Jork, Human Rights Watch, si dhe një pjesë e shoqërisë civile, reaguan ashpër ndaj këtyre shkeljeve të të drejtave elementare njerëzore.

Të mos harrojmë asnjëherë se qindra mijëra shqiptarë ishin strehuar në shtetet perëndimore, edhe atëherë kur kishin emigruar ilegalisht.

Tash vonë, vetë z.Haradinaj është mbajtur në Francë për tre muaj. Falë parimeve të drejtësisë evropiane, ai u kthye tek familja dhe sot është Kryeministër.

Po të silleshin shtetet perëndimore siç veproi shteti jonë në këtë rast, jo vetëm z.Haradinaj, por një pjesë e mirë e krerëve të institucioneve tona sot nuk do të frymonin fare.

Shenjat e Diktaturës dhe kapjes së shtetit nga një individ!?

Tentimi për shfuqizimin e ligjit për dhomat e specializuara përmes të cilit Kosova kishte marrë obligime ndërkombëtare, dhe tani deportimi i gjashtë shtetasve turq në kundërshtim me ligjet vendore dhe konventat e obligueshme ndërkombëtare, krijojnë pasiguri tek qytetarët dhe miqtë tanë perëndimorë.

Komisioni Evropian dje e bëri të qartë se respektimi i ligjit dhe konventave ndërkombëtare lidhur me të drejtat njerëzore është në fundament të drejtësisë evropiane.

Ta kemi të qartë, këto janë shenja të diktaturës nga kapja e shtetit nga një individ.

Kjo ngjarje konfirmon, se Kryeministrin nuk e pyet askush!? Ai nuk ushtron kontroll mbi institucionet, të cilat duhet t’i raportojnë vetëm atij, askujt tjetër.

Ndërkohë që Presidenti Thaçi, doli hapur në mbrojtje të Agjencisë për Inteligjencë.

Presidenti Thaqi duhet të deklarohet lidhur me falënderimin që ja bëri atij personalisht – presidenti turk. Ngase kjo lë të kuptohet se është Presidenti, ai që ka dhënë urdhrin. Rrjedhimisht, duhet të bëjë transparente, telefonatën me presidentin turk pas depërtimit!

Është e qartë se Presidenti i ka tejkaluar autorizimet e tij kushtetuese, dhe rrjedhimisht ka shkelur kushtetutën. Pasojat e kësaj shkelje dihen.

Dhe kjo sigurisht se nuk do të kalojë pa dhënë përgjegjësi.

Kosova duhet ta ruajë qartësinë e orientimit të saj Euro-Atlantik!

Shteti i Kosovës, me orientim të qartë euro-atlantik, duhet të ruajë rendin kushtetues dhe të sigurisë, shtyllat e demokracisë dhe orientimit gjeostrategjik – të gjitha këto të cenuara të enjten e javës që shkoi, përmes interferimit të Ambasadës Turke, apo edhe të vet Presidentit Erdogan, në jetën politike e institucionale të Kosovës.

Dy fjalë edhe rreth falënderimit dhe mirënjohjes sonë karshi shtetit dhe popullit Turk në çlirimin e vendit tonë – sikur edhe për përgjegjësit e shtetit tonë – në raportet tona mes shteteve!

Ne respektojmë sovranitetin e çdo vendi të pavarur, e aq më tepër të vendeve mike. Çdo herë kur institucionet tona të sigurisë marrin informacione kredibile se individë apo organizata implikohet në aktivitete që rrezikojnë rendin kushtetues të një vendi tjetër, organet kompetente me transparencë të plotë dhe sipas ligjeve dhe konventave ndërkombëtare duhet të marrin vendimet adekuate.

Ne pranojmë dhe njohim të drejtën e vendeve sovrane që të interesohen për aktivitetin e individëve apo organizatave që supozohet se kanë qëllime apo marrin veprime antikushtetuese ndaj vendeve të tyre. Por, trajtimi i këtyre çështjeve duhet bërë sipas konventave ndërkombëtare.

Ne, si shtet dhe si popull, jemi falënderues dhe mirënjohës ndaj popullit turk për mbështetjen në momentet tona më të vështira, në çlirimin e Kosovës, në rindërtimin e vendit, dhe forcimin e shtetit të pavarur të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Shkelja e Ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës – dhe kërkesa për përgjegjësi e gjithë zinxhirit komandues!?

Më 29 mars, krerët e institucioneve të vendit, me veprim apo mos veprim, kanë shkelur rëndë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Më 29 mars, kishte tejkalim të autorizimeve ligjore dhe kushtetuese dhe dështim në zinxhirit komandues.

Prandaj, duhet të ketë përgjegjësi nga i gjithë zinxhiri komandues, që ka ekzekutuar apo lejuar (me heshtje apo pjesëmarrje aktive) këtë shkelje të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare.

Pas këtij debati, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkon që të votohet rezoluta si në vijim:

1. Drejtori i Policisë, Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Agjencisë për Inteligjencë, Ministri i Brendshëm, Ministri i Jashtëm, Ministri i Drejtësisë, Autoriteti i Aviacionit bashkë me Ministrin e Infrastrukturës, brenda tri dite të raportojnë me shkrim në Komisionin përkatës Parlamentar për përgjegjësinë që kanë pasur dhe procedurat që kanë ndjekur në këtë rast.

2. Formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për të zbardhur këtë skandal, që ka cenuar rëndë të drejtat elementare njerëzore.

3. Përgjegjësit e këtij skandali të japin llogari bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.

4. Kuvend i Republikës së Kosovës kërkon nga institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë që përgjegjësve të këtij skandali institucional t’ju respektohet e drejta për gjykim të drejtë, transparent, sipas ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe të drejtën e ankesës, të cilën gjë këta ju mohuan gjashtë shtetasve turq.