Prokuroria: Ish-drejtori nuk i dorëzoi 10 mijë euro në llogarinë e Komunës Prokuroria: Ish-drejtori nuk i dorëzoi 10 mijë euro në llogarinë e Komunës
Ish-drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, Nikolla Nojkiq, ka dalë para gjyqit për t’u përgjigjur për akuzën – keqpërdorim i pozitës... Prokuroria: Ish-drejtori nuk i dorëzoi 10 mijë euro në llogarinë e Komunës

Ish-drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, Nikolla Nojkiq, ka dalë para gjyqit për t’u përgjigjur për akuzën – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria e Gjilanit po e akuzon Nojkiqin se kishte pranuar shumën prej 14 mijë e 13 eurosh nga disa zyrtarë dhe arkëtarë të Komunës, të holla këto nga arkëtimi i taksave për shërbime komunale dhe në llogarinë bankare të Komunës ka transferuar vetëm 3 mijë e 623 euro.

Rrjedhimisht, ai akuzohet se nuk ka dorëzuar shumën prej 10 mijë e 390 eurosh, të cilat ishte i obliguar t’i dorëzonte.

Në seancën e sotme gjyqësore ka dëshmuar eksperti nga lëmi i ekonomisë Riza Blakaj, i cili me kërkesën e Gjykatës së Gjilanit kishte përpiluar ekspertizë rreth rastit.

Pasi që mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ymer Huruglica, pretendoi se klienti i tij nga shuma për të cilën akuzohet se nuk e ka dorëzuar në llogarinë e Komunës ka paguar bileta për udhëtime për kryetarin e Komunës, dëshmitari tha se kjo nuk ka qenë objekt i ekspertizës.

Sipas ekspertit, objekt i ekspertizës ka qenë se sa është shuma e dorëzuar në llogari të Komunës.

Ndërsa në pyetjet e prokurorit, Arben Kadriu, eksperti sqaroi se edhe pse ka qenë i obliguar, i akuzuari nuk e ka dorëzuar shumën për të cilën akuzohet nga Prokuroria.

Për këtë çështje mbrojtësi i të akuzuarit kërkoi që të bëhet ekspertizë e re.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit Zyhdi Haziri, Agim Ademi dhe Menderes Behluli.