Propozim për lehtësimin e çantës së nxënësit Propozim për lehtësimin e çantës së nxënësit
Duke qenë se në fillim të çdo viti shkollor bëhet problem dhe paraqitet si shqetësim i ligjshëm çanta e rëndë në shpinën e nxënësve... Propozim për lehtësimin e çantës së nxënësit

Duke qenë se në fillim të çdo viti shkollor bëhet problem dhe paraqitet si shqetësim i ligjshëm çanta e rëndë në shpinën e nxënësve të shkollave fillore, mendojmë se ky problem do të mund të zgjidhej me një përkushtim të përbashkët dhe me punë serioze të të gjithë atyre që merren me problemet dhe me çështjen e arsimit, veçanërisht të atyre që e drejtojnë arsimin që prej shumë vitesh.

Së pari, deri në vitin shkollor 2015/16 librat janë shpërndarë falas sipas nenit 9 pika 2, 3 dhe 4 të Ligjit Nr. 04/L-032 për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës (“Gazeta zyrtare e Republikës së Kosovës” Nr. 17, dt. 16.9.2011, Prishtinë) dhe Udhëzimit administrativ nr. 16/2012 të MASHT dt. 18.9.2012. Mbi bazë të këtij udhëzimi administrativ nxënësit e nivelit 1 e 2 të arsimit parauniversitar (nga klasa I-IX) i kanë marrë të gjitha tekstet e nevojshme dhe fletoret e punës falas, sepse, siç e përcakton Ligji për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës, këto dy nivele të arsimit parauniversitar i përkasin arsimit të detyrueshëm, që financohet nga buxheti i shtetit. Po ashtu, udhëzimi administrativ nr. 16/2012 i MASHT, i shfuqizuar pas nxjerrjes së Udhëzimit administrativ Nr. 13/2016 të MASHT, dt. 13.7.2016, përcaktonte se tekstet shkollore do të duhet të përdoren katër vjet. Pra, tekstet do të përdoren nga katër gjenerata të nxënësve duke kaluar nga njëra gjeneratë te tjetra. Kështu e kishte përcaktuar MASHT, por kështu nuk ndodhi(!), sepse tekstet shkollore vijuan të jepeshin për çdo vit falë dorës “bamirëse” të dikujt që “vronë e kthjellë” në MASHT.

Çfarë prodhoi kjo “bamirësi”?

Nxënësit e prindërit u mësuan me këtë “bamirësi” të MASHT dhe nuk kujdeseshin për ruajtjen e teksteve të falura për përdorim katërvjeçar nga fëmijët e tyre, por jo përgjithmonë. Kjo për arsye se tekstet ishin shtypur në letër të cilësisë së dobët, me fletë të ngjitura edhe më dobët. Kështu, në vend se letra të ishte cilësore dhe fletët të lidhura e të qepura me penj të qëndrueshëm, ato, siç e thamë më sipër, ishin ngjitur shumë dobët dhe me një të shfletuar fletët çngjiteshin.

Ndërsa sot, me Udhëzimin e ri administrativ nr. 13/2016, dt. 13.7.2016, MASHT bën dy gabime:

1) nuk e përcakton kohën e përdorimit, pra nuk dihet kur do t’u japë nxënësve tekste të reja, për arsye se tekstet që po i jep sivjet nuk mund të përdorën pafundësisht, sepse janë fletë letre, jo fletë llamarine, dhe i nënshtrohen prishjes, grisjes, vjetrimit dhe humbjes.

2) nuk u jep libra nxënësve të nivelit 2 (klasat VI-IX), gjë që bën shkelje të Ligjit Nr. 04/L-032 për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës. Të kujtojmë se në nenin 26, pika 4 të ligjit të cituar shkruan: “Tekstet shkollore të miratuara nga Këshilli drejtues në nivelet 1 dhe 2 në bazë të paragrafit 2. të këtij neni ofrohen falas” dhe, në anën tjetër, nuk e zbaton nenin 2 të Udhëzimit administrativ nr. 13/2016, ku thuhet: “MASHT ka obligim që të bëjë pajisjen e nxënësve të arsimit të obliguar me tekste shkollore.” Prandaj, me këtë veprim të ngutshëm, MASHT ka shkelur të drejtën elementare të nxënësve të nivelit 2 të arsimit parauniversitar për pajisje me tekste falas. As nxënësit, as prindërit e tyre nuk janë fajtorë për mënyrën si janë shpërndarë tekstet falas gjatë këtyre viteve për nivelet në fjalë, as nuk janë fajtorë për gabimet e ndonjë dorëlëshuari të MASHT, i cili është sjellë si djali plëngprishës dhe e ka dëmtuar buxhetin e shtetit që nga viti i parë i fillimit i pajisjes së nxënësve me tekste nga MASHT. Prandaj MASHT me veprimin e vet ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtën e këtyre nxënësve për tekste falas. Prindërit kanë plotësisht të drejtë të kundërshtojnë dhe të kërkojnë që edhe këta nxënës (fëmijët e tyre) t’i marrin tekstet falas.

Kurse për buxhetin e shumë familjeve ky vendim i MASHT është me pasoja, sepse tekstet për klasën e VI deri të nëntën kushtojnë 166.40 €.

Pra, për fajet, gabimet dhe moskokëçarjen e të tjerëve nuk është e drejtë që në vitin shkollor 2017/18 nxënësit e nivelit 2 mos t’i marrin tekstet falas, kurse në MASHT mos t’i “bjerë” qimja askujt.
Në Udhëzimin e ri administrativ (nr. 13/2016 të MASHT) nuk përmenden askund fletoret e punës, të cilat janë për një përdorim. Nëse për tekstet mund të caktohet afati i përdorimit të tyre nga nxënësit e disa gjeneratave, fletoret e punës janë tekste ndihmëse që do të duhej të jepeshin për çdo vit dhe në fund të vitit mësimor të dorëzohen në shkollë për t’u dërguar për riciklim.

MASHT-it do t’i propozonim të fillojë një mënyrë të re të dhënies së teksteve falas.

E para, MASHT duhet të fillojë që nga ky vit shkollor (2017/18) t’i pajisë të gjitha paralelet e klasës së parë me dollap për vendosjen e teksteve falas. Këto tekste do të qëndrojnë në shkollë (klasë) dhe për to do të kujdeset mësuesja, do të kujdesen vetë nxënësit, udhëheqësit e shkollës dhe prindërit duke i këshilluar fëmijët e tyre që në shkollë të sillen si nxënës dhe t’i ruajnë tekstet dhe mjetet e pajisjet e tjera të shkollës.

E dyta, MASHT duhet të fillojë që nga ky vit shkollor (2017/18) t’u japë edhe nga një kopje të teksteve, të cilat nxënësit e klasës së parë do t’i mbajnë në shtëpi dhe nuk do të kenë nevojë t’i rëndojnë çantat duke i bartur për çdo ditë shtëpi- shkollë dhe shkollë-shtëpi, sepse në shkollë do t’i përdorin tekstet e klasës.

Jemi të vetëdijshëm se ky do të jetë shpenzim i dyfishtë, por po të mendojmë kthjellët e thellë dhe të shohim përtej hundës, do të dalë me fitim në fund.

Fundja, MASHT mund të fillojë edhe me shkolla pilot në një komunë apo në më shumë komuna.

E treta, nxënësit nuk do të duhej ta shkruajnë emrin në tekstet e dhuruara nga MASHT, por do ta shënojnë vetëm paralelen (në shkollat që kanë më shumë se një paralele) dhe numrin rendor që e kanë në librin (ditarin) e klasës, me të cilin do të identifikohen dhe do t’i marrin gjithmonë tekstet “e veta” sipas këtij numri rendor. Tekstet e klasës do t’ua japë nxënësve në fillim të çdo ore të mësimit dhe do t’i mbledhë kur të mbarojë ora e mësimit vetë mësuesja, e cila do t’i vendosë në dollapin e klasës. Në tekstet e shtëpisë nxënësit nuk duhet të shënojnë as emrin, as paralelen, as numrin rendor që e kanë në librin (ditarin) e klasës. Pra, në këto tekste nxënësit nuk do të bëjnë as edhe një pikë apo vijë sado të vogël.

E katërta, nxënësit do t’i përdorin në shtëpi tekstet e shtëpisë, të cilat do të ruhen shumë më mirë duke i vendosur në një kënd apo dollap të dhomës së nxënësit dhe nuk do t’i dëmtojnë duke i futur dhe nxjerrë orë e çast nga çantat, si deri tash.

E pesta, në fund të vitit shkollor nxënësit do t’i dorëzojnë te mësuesja “tekstet e shtëpisë”, të cilat do të përdoren nga nxënësit e gjeneratës tjetër. Tekstet e shtëpisë, me siguri, do të jenë shumë më të ruajtur. Ndërsa “tekstet e klasës” do të ruhen në dollapët e paraleleve dhe do të përdoren nga gjenerata tjetër bashkë me “tekstet e shtëpisë”.

E gjashta, në vitin shkollor 2018/19, MASHT do të japë nga dy tekste për nxënësit e klasës së dytë, të cilët në vitin shkollor 2017/18 e kanë kryer klasën e parë, kurse librat e këtyre nxënësve do t’u jepen gjeneratës pasuese pa asnjë shpenzim shtesë, përveç nëse gjenerata pasuese do të ketë më shumë nxënës. Kështu, ky cikël duhet të mbyllet deri në vitin shkollor 1921/22 (klasa e V-të).

E shtata, shkollat duhet të kenë depo, ku do t’i vendosin tekstet e tepërta të një gjenerate, për t’i përdorur nëse kanë nevojë më vonë në ndonjë vit tjetër shkollor, si dhe do t’i vendosin fletoret e punës për t’i dorëzuar për riciklim.

E teta, kjo mënyrë e dhënies falas të teksteve që sivjet duhet të zbatohet edhe për klasën e VI-të të nivelit 2 (shkolla e mesme e ulët), për të vazhduar për çdo vit me klasën tjetër, deri te klasa e IX. Ky cikël duhet të mbyllet në vitin shkollor 2020/21 (klasa e IX-të).

E nënta, MASHT do të jetë e detyruar të zëvendësojë vetëm ato tekste të cilat mund të pësojnë ndryshime, qoftë për shkak të ndryshimit të planit e programit të MASHT, qoftë për shkak të ndryshimeve të përmbajtjeve të teksteve shkollore.

E dhjeta, për shkak se dhënia falas e teksteve shkollore i kushton mjaft buxhetit të Republikës së Kosovës, MASHT, drejtoritë e shkollave etj. duhet të kërkojnë mirëkuptim nga prindërit të cilët kanë mundësi materiale t’i blejnë vetë tekstet për fëmijët e tyre, që fëmijët e tyre të hiqen nga lista e teksteve falas. Sado i vogël të jetë ky numër, megjithatë është një lehtësim për MASHT dhe për buxhetin e shtetit, sepse vërtet është e pakuptim dhënia falas e teksteve shkollore për fëmijët e prindërve që paguajnë mijëra € për shkollimin e fëmijëve të tyre në shkollat private e të mos jenë në gjendje të heqin dorë nga tekstet falas. Fundja, ky është një gjest human dhe njëherazi do të bëhen donatorë të MASHT e të shkollave. Kjo le të vlejë edhe për prindërit me mundësi blerje të teksteve nga buxheti familjar, fëmijët e të cilëve mësojnë në shkollat publike të Kosovës.

Tekstet që do të blihen nga prindër dhurues do të bëhen pasuri e shkollës dhe e nxënësve të gjeneratave të tjera, nëse këta prindër nuk kanë fëmijë të tjerë që do t’i përdornin ato.

Duhet të jemi të qartë: dispozitat “ndëshkuese” për nxënësit e pakujdesshëm, të cilët do t’i dëmtojnë, do t’i humbin apo do t’i tjetërsojnë në çfarëdo forme tekstet e falura apo edhe të blera nga prindërit e tyre, do të vlejnë si për ata që i marrin tekstet falas nga MASHT, si për ata që i blejnë me shpenzimet e veta.

Po të veprohet kështu, nxënësit do të shkojnë në shkollë me çanta të lehta, ku do t’i kenë vetëm disa fletore pune, lapsat, stilolapsat, ngjyrat, gomën, vizoren etj., gjyshërit do të lirohen nga detyrimi i bartjes së çantave të nipërve e mbesave, nxënësit do të shpëtojnë pa deformime të boshtit kurrizor, MASHT do të kursejë më shumë se ç’ka kursyer deri sot.

Veteranët e arsimit
OJQ “7 Marsi”
Gjakovë