Nga Mero Baze Berisha ka formuluar tre qëndrime të reja. E para, ka pranuar se në vitin 1997, ka hapur depot “me qëllim që...

Nga Mero Baze

Berisha ka formuluar tre qëndrime të reja. E para, ka pranuar se në vitin 1997, ka hapur depot “me qëllim që shqiptarët të mbroheshin” nga revolta e armatosur në Jug dhe përsëriti akuzat se Perëndimi solli armë kundër qeverisë nga deti. Më parë ai ka pasur tezën se depot e armëve i kanë hapur bandat e armatosura dhe rebelët kundër tij, dhe përveç seancës së Gazidedes në Kuvend dhe në një interviste të vet Beirshës në mars të 1997, ai nuk e ka përsëritur më akuzën e “armiqve të jashtëm” që e kanë përmbysur. Së dyti, ka rehabilituar ngjarjet e vitit 1998 dhe sulmet e armatosura mbi institucione, duke i përsëritur si model kërcënimi ndaj qeverisë aktuale (ruajna Zot të mos ketë llogaritur dhe ndonjë dëshmor të ri nga PD) Së treti, po kërkon të marrë dhe pozën e patriotit, duke theksuar se armët që ai hapi depot në vitin 1997, kanë shkuar për të luftuar shqiptarët në Kosovë në vitin 1999. Të treja janë gënjeshtra, biles të trasha, të hedhura poshtë në vite nga vetë Berisha kur nuk ka qenë në hall, siç është tani. Depot e armëve në vitin 1997, u hapën filimishtë në Jug nga kapitullimi i ushtrisë përballë revoltës së qytetarëve, dhe Berisha hapi depot në Tiranë dhe veri, për t’iu kundërvënë Jugut. Gjatë gjithë trazirave dhe më pas, askush nuk verifikoi ndonjë armë të huaj, përveç kallashnikovëve dhe granatave të depove shqiptare, siç nuk u gjetën çadrat pistoletë në vitin 2011. Në vitin 1998, revolta e armatosur kundër institucioneve, pasoi vrasjen e Azem Hajdarit dhe manipulimin me këtë vrasje nga Berisha. Nuk di nëse Berisha ka ndërmend të vrasë dikë nga PD këto ditë dhe të hidhet në sulm kundër institucioneve, por është e qartë se ai e ka atë në koshiencën e vet, si një histori krenare. Gënjeshtra e tretë, ajo që ky ka hapur depot në vitin 1997, për t’i përdorur në vitin 1999 në Kosovë, përveçse është një gënjeshtër e trashë, është dhe një lajthitje mendore e tij. I vetmi armatim që UÇK ka marrë nga shteti shqiptar, është ai që i ka shitur ose falur shteti shqiptar nga depot e ushtrisë, dhe jo kallashnikovë të mbledhur rrugëve. Biles dhe ai armatim që ja ka dhënë vetë shteti, shpesh nuk bënte dhe u ngelej në dorë luftëtëtarëve, dhe jo më të bënin kallashët e vjedhur depove nga njerëz të papërgjegjshëm. Mbi të gjitha, në vitin 1999 Berisha ka qenë më i izoluar se kurrë ndërkombëtarisht dhe brenda vendit, dhe ka qenë person i padëshiruar me qëndrimet e tij ndaj luftë ssë Kosovës, aq sa nuk u lejua as të shkelte në Kosovë menjeherë pas luftës nga administrata ndërkombëtare, me dijeni të Rugovës dhe Thaçit.

Po përse i bën Berisha këto deklarata? Shpjegimi gjendet tek padia që Partia Socialiste ka bërë kundër tij në Prokurori. Kur ai bëri deklaratën për armatosje, PD heshti dhe tentoi të mbante distancë nga Berisha, dhe ai vazhdoi ta elaboronte atë tezë vet, me disa gazetarë pro tij, që filluan ta moderojnë si tezë ligjore. Tani ai e ka harruar fare atë çështje, dhe po bën thirrje për armatosje direkte të popullsisë. Padia në Prokurori i ka dhënë shans Berishës ta thellojë thirrjen për rrëmbim armësh në ekstrem përtej çdo parashikimi, për të tërhequr mbi vete vemendjen dhe për t’u heroizuar si një “gjeneral” i një ushtrie të vdekur, që ai kërkon ta ngjallë, ta trimërojë dhe ta armatos për të vrarë kundërshtarin. Deklaratat janë ekstremisht provokuese, pikërisht për të zhvlerësuar atë që PS ka bërë me deklaratën e tij të parë, duke e çuar në Prokurori. Mos u çudisni që nesër, pasnesër dhe ditët në vazhdim, ai të bëjë deklarata dhe më të egra se kjo në këtë drejtim. Duke qenë i qartë se Prokuroria nuk do të lëvizë asnjë gisht kundër tij, dhe për të dalë nga kjo histori si një hero, që po bën thirrje për rrëmbim armësh, Berisha do ta thellojë qëndrimin e tij në këtë pikë. Për deklaratat e sotme ka bërë kujdes të jenë të rënda, dhe të mbëshetura dhe mbi një histori të gënjeshtërt dhe të ritreguar sipas interesit që ai ka sot për këtë çështje. Në mendjen e tij, opozita e vitit 2013, 2014, 2015, është si opozita e vitit 1997, 1998, 1999, ku ai të vetmin mjet që tentoi të përdorë, ishin armët. Deklarata e parë e Berishës për armatosje, në fakt pati një gjyq popullor shembullor, nga më të pamëshirshmit që ka pasur ndonjëherë Berisha, dhe nuk ja vlen fare se çfarë do bëjë Prokuroria. Deklaratat e sotme, po ashtu do të kenë një ndëshkim shembullor nga opinioni publik, por mos prisni gjë nga Prokuroria. Gjyqi ndaj Berishës, përfshin dhe gjyqin publik ndaj Prokurorisë, ndaj nuk ja vlen të merremi me atë pjesë. Është thjeshtë një përpjekje e Berishës për të futur armët në axhendën politike dhe plumbat në mendjet e shqiptarëve, si e vetmja mënyrë për t’u hakmarrë ndaj braktisjes popullore ndaj tij. Më shumë se guxim i tij, është një shans që ai e gjen tek fakti se çështja e tij ka shkuar në Prokurori dhe ai e ka të sigurtë fitoren atje. Ndaj i duhet lënë në dorë gjyqit të shoqërisë mbi të dhe jo prangave të Adriatik Llallës. Ai është i pandehur bashkë me Berishën në këto thirrje prej burracaku. E vetmja gjë që nuk e kuptoj, është pse i duhen Berishës tri vitet kur ka rrëmbyer armët dhe është mundur e poshtëruar të tre herët, dhe jo vitet kur ndërroi lëkurë dhe ja doli të dukej para tyre si i “ndryshuar”? Me sa duket i ka humbur shpresat se mund t’i gënjejë përsëri dhe e vetmja hakmarrje është t’i shikojë shqiptarët të përleshen me armë me njëri­ tjetrin rrugëve. Dhe pastaj të vdesë i qetë. Se të çmendurit përgjithësisht vdesin të lumtur!/gazetaTema/