Pse duhet studiuar sociologji në shkolla? Pse duhet studiuar sociologji në shkolla?
Dr. Aida Zhupa Shqetësimi rreth kësaj çështje ka filluar më herët, në vitin 2009-2010, kur me ndryshimet e kurrikulës në arsimin e mesëm të... Pse duhet studiuar sociologji në shkolla?

Dr. Aida Zhupa

Shqetësimi rreth kësaj çështje ka filluar më herët, në vitin 2009-2010, kur me ndryshimet e kurrikulës në arsimin e mesëm të lartë, filozofia dhe sociologjia ndryshuan pozicionin e tyre, duke u kthyer nga lëndë të formimit të detyruar në shkollat e mesme, në zgjedhje  të lirë, vetëm për gjimnazet (duke përjashtuar arsimin profesional). Ato u zëvendësuan me lëndë të tjera, si: qytetari, edukim për karrierën, aftësim për jetën etj., të cilat, për ata që nuk e njohin nga afër problemin, janë të nevojshme për formimin shoqëror të nxënësit, por informacioni që ofrojnë, mund të merret fare mirë në një nivel më të ulët shkollimi (në arsimin 9-vjeçar). Me përpjekjen e shumë kolegëve nga e gjithë Shqipëria, më në fund, para tre vitesh, filozofia u vendos në kurrikulën bërthamë, pra zhvillohet në të gjitha shkollat e mesme, të të gjitha profileve. Kjo është një arritje, por e pamjaftueshme, duke patur parasysh se është lënë përsëri jashtë vëmendjes sociologjia, e cila mbeti lëndë me zgjedhje të lirë dhe vetëm për gjimnazet. Mësuesit e fushës, të devotshëm dhe që e dashurojnë lëndën e tyre, kanë ngritur shpesh zërin, edhe në formën e peticioneve drejtuar Ministrisë së Arsimit, por asnjë përgjigje. Çfarë i pengon hartuesit e kurrikulave dhe programeve mësimore të ndërmarrin këtë hap të rëndësishëm dhe aspak të pamundur? Për të rikthyer edhe njëherë në vëmendje rëndësinë e sociologjisë në formimin qytetar të individit, po vijojmë si më poshtë:

Çfarë na mëson sociologjia? Shumë flitet për arsimin cilësor, për metoda bashkëkohore të mësimdhënies/nxënies, për edukimin shumëdimensional të nxënësve etj.

Objektivat e Arsimit Parauniversitar, siç përcaktohen në Kurrikulën Bërthamë për Arsimin e Mesëm të Lartë, lidhen me zhvillimin e aftësive të nxënësve për të nxënë, për të menduar në mënyrë kritike dhe krijuese, për komunikim, vetëbesimin dhe besim tek të tjerët, për pjesëmarrje aktive në një shoqëri globale dhe diverse. Por, si mund të formohet ky individ, mëndjehapur dhe i përgjegjshëm, nëse nuk i jepet mundësia të studiojë lëndët që e bëjnë të arsyetojë, të reflektojë dhe më pas të marrë vendime? Këtë rol, më shumë se çdo lëndë tjetër e luan sociologjia, e cila ndihmon në formimin e një brezi të ri, të aftë për pjesëmarrje aktive në një shoqëri demokratike. Ajo aftëson nxënësit në luftën kundër dhunës, racizmit, ksenofobisë, nacionalizmit agresiv, intolerancës, duke fuqizuar shoqërinë civile dhe drejtësinë sociale. Në programin e sociologjisë, miratuar nga MASR dhe Instituti i Zhvillimit të Arsimit në vitin 2017, pra bazuar në kurrikulën e re, misioni i sociologjisë përcaktohet si zhvillimi i aftësive: – për qenë sa më i efektshëm në angazhimet si veprimtar për zgjidhjen e problemeve shoqërore; për të parashtruar një problem shoqëror dhe për të argumentuar rrugëzgjidhjen e tij; për të parandaluar dhe tejkaluar konfliktet në bashkëveprimet e shumëllojshme me individë ose grupime shoqërore të caktuara; për t’u orientuar në shoqëritë dhe sistemet e tjera kulturore, ku mund të punojë dhe jetojë si student, si emigrant etj.; për të çmuar me frymë relativiteti vlerat, normat dhe elementet e tjera të sistemeve kulturore të vendeve të tjera; për t’u orientuar drejt lëvizjeve shoqërore përparimtare etj. (MASR dhe IZHA, 2017: 7-8).

Kur më shumë se sot, është i domosdoshëm kultivimi i këtyre vlerave, sidomos në shoqërinë tonë? Shqipëria ka nevojë për të rinj të aftë për të zgjidhur në rrugë paqësore problemet shqetësuese për shoqërinë, që të ndihmojnë në funksionimin normal të saj, në përputhje me ligjet dhe interesin e përbashkët publik; për individë që mbajnë qëndrime korrekte, kritike dhe pa paragjykime ndaj vlerave dhe normave të kulturave të tjera.

Pasoja tjetër e këtyre reformave të pamenduara dhe që vazhdojnë të krijojnë probleme është se në provimin me zgjedhje, që zhvillohet në dt 24 qershor, maturantët janë të lirë të japin edhe sociologjinë, në një kohë kur kjo lëndë, siç përmendëm më lart, nuk zhvillohet në të gjitha shkollat. Megjithatë opsioni i zgjedhjes qëndron: sociologji. Ku? dhe Si? do ta mësojnë nxënësit këtë lëndë, e cila si çdo shkencë tjetër, ka vështirësitë e veta?!