Qysh është vendi, edhe Kuvendi Qysh është vendi, edhe Kuvendi
Nga Petrit Musolli Nuk është çudi që sot deputetët nuk shkojnë në seancë të Kuvendit, ndërkohë që nuk e huqin asnjë fluturim jashtë vendit.... Qysh është vendi, edhe Kuvendi

Nga Petrit Musolli

Nuk është çudi që sot deputetët nuk shkojnë në seancë të Kuvendit, ndërkohë që nuk e huqin asnjë fluturim jashtë vendit. Zgjedhja e tyre deputet varet ekskluzivisht prej liderave të tyre të partisë. Duke qenë subjektet tona të ndërtuara mbi liderin dhe varur plotësisht nga ai, dhe votat kryesisht orientohen mbi perceptimin për liderin, kem deputetë të tillë, ku votat e tij nuk janë produkt i punës dhe përfaqësimit të tij, por dhuratë për shërbimet ndaj liderit të subjektit.

 Ndoshta, për me ilustru më së miri rëndësinë e deputetit, bagazhit të tij intelektual e profesional që përfaqëson, është rasti kur Hashim Thaçi, në fushatën e fundit elektorale, përze kandidatët për deputetë nga bina dhe, largimi i tyre pa bëza e kokëulur! Sepse, zgjedhja apo moszgjedhja, votimi apo mosvotimi i tyre për deputet, varet krejtësisht nga ‘zemërgjerësia’ e liderit, jo sepse ata, në vete, reprezentojnë diçka!

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kryesisht, nuk janë produkt i besimit qytetar – për karizmën dhe përfaqësimin e tyre individual! Vota e tyre ose është e blerë materialisht, ose e manipuluar emocionalisht, e që të dyja variantet varen kryekëput nga fuqia e aftësia e liderave të tyre partiak. Prandaj, deputetët (shumica) sot, janë kaq të papërgjegjshëm në të gjitha aspektet e përfaqësimit.

Siç ka ndodhur rasti, atyre edhe ju nënvizohet e tregohet paraprakisht se çfarë e si duhet të votojnë. Sepse, votat e tyre nuk janë fitore individuale, por dhuratë nga lideri. Andaj, nuk është çudi që ata, sot, nuk ndiejnë kurrfarë përgjegjësie përfaqësimi të votuesve të tyre dhe votuesit e tyre nuk kërkojnë llogari nga ata!

Deputetët (shumica), sot, janë të kujdesshëm të jenë pjesëmarrës në Kuvend vetëm kur çështjet e ngritura qëndrojnë me interesin e liderit, që mund ta avancojnë ose cenojnë pozicionin e tij. Përndryshe, siç po dëshmohet, janë krejt indeferent ndaj përgjegjësive kushtetuese e elektorale që kanë, për çështjet me interes të përgjithshëm.

Deputetët, sot, kalojnë me kaq lehtësi nga një koncept politik në një koncept tjetër politik, brenda të njëjtit mandat, sepse mandatin e fituar nuk e ndiejnë obligim të premtimit elektoral. As mandatin e ardhshëm nuk e konsiderojnë sfidim me elektorat. Sepse, elektorati i tyre, është vullneti i liderit të tyre!

Papërgjegjësia e deputetëve, sot, është pasqyra e papërgjegjësisë dhe e mendësisë tonë si shoqni! Një pjesë e mirë e tyre janë për disa mandate aty, me të njëjtën sjellje të papërgjegjshme, e një pjesë tjetër e tyre, fitojnë gjithmonë të njëjtat vota, varësisht shetitjeve nëpër profilet e subjekteve! Jo sepse ata (me përjashtime) përfaqësojnë personalisht diçka, por votat e tyre garantohen me përkushtimin për shërbimin ndaj liderit, kurdo dhe cilitdo lider vendosin t’i shërbejnë. Sepse, ata, përzgjedhen si të shquar dhe dëshmuar për aktivista të devotshëm të interesave të liderit. Prandaj, sot, Kuvendi, matet jo me interesin qytetar, por me aktivitetin e liderave partiak!