Rama nuk arriti t’i hapë negociatat, por ia doli ta shmangë turpërimin Rama nuk arriti t’i hapë negociatat, por ia doli ta shmangë turpërimin
ANDI BUSHATI Ajo që Rama ka arritur, shumë e rëndësishme për të, por pak e vlefshme për shqiptarët, është se nga Luksemburgu i’u bënë... Rama nuk arriti t’i hapë negociatat, por ia doli ta shmangë turpërimin

ANDI BUSHATI

Ajo që Rama ka arritur, shumë e rëndësishme për të, por pak e vlefshme për shqiptarët, është se nga Luksemburgu i’u bënë disa dhurata që t’i shpëtonin fytyrën. Iu fal termi “hapje negociatash” dhe një datë efemere që askush se di se kur kanë për të ndodhur. Ajo që dihet me siguri është mënyra se përse do t’i përdorë ai këto
Midis versionit të qeverisë që ka filluar të thërrasë fitore dhe atij të opozitës që po klith për dështim në hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, ka disa gjëra të thjeshta që duhen saktësuar.

Po, Edi Rama dhe taborët e tij kanë një lloj të drejte të ndihen të lehtësuar. Ata arritën të shpëtojnë fytyrën dhe të shmangin turpërimin, sepse rezultati para mbledhjes të Këshillit të marëdhënieve të Përgjithshme të Luksemburgut mund të ishte edhe më i keq. Deri pak ditë më parë, në tryezë ndodhej varianti që Shqipërisë t’i thuhej një “Jo” e plotë. Pas votimit negativ të parlamentit holandez, këmbënguljes mohuese të Francës dhe intransigjencës së Danimarkës, Shqipëria jo vetëm rrezikohej të mbetej në klasë, por ajo kanosej edhe nga skenari më i errët i mundshëm, ndarja e fatit të saj nga Maqedonia. Në tryezat e Brukselit, deri në mbarim të javës që shkoi, qarkullonte edhe një version, që fqinjit tonë sllav t’i hapej drita jeshile, ndërsa ne të refuzoheshim për të tretën herë radhazi .

Falë një grupi vendesh që mbështesin politikat e zgjerimit, falë skrupujve të anëtarëve më të fuqishëm të BE-së, për të mos krijuar një hendek mes Komisionit Europian që kish dhënë një rekomandim pozitiv dhe shefave të shteteve që nuk gjenin dot konsensus, u arrit që të shpikej një formulim më i butë: të thuhej një “PO” që më shumë anon nga “JO-ja”.
Në këtë kuptim Edi Rama që e pati shndërruar në një bast personal, hapjen e negociatave këtë 28 qershor, mund të ndihet si pacienti që e kanë lejuar të marrë edhe një serum më tepër. Ai arriti t’a evitonte përbaltjen ekstreme dhe të shmangë një rrefuzim shqeto, të pastër dhe pa ekuivoke.
Por, gjithësesi ajo që arriti ishte shumë larg asaj që shpresonte dhe asaj që kishte premtuar. Qeveria e tij ka mbi tryezë një tufë me kushte që ka qenë e paaftë t’i përmbushë për vite me radhë (lexo më poshtë), dhe që vështirë se dikush shpreson se do t’i përmushë për 12 muaj. Që negociatat të quhen realisht të hapura do të duhet që ato të plotësohen deri në mbledhjen e qeshorit 2019 dhe vetëm pasi Këshilli i BE-së t’a konstatojë këtë.

Por, problemet tona nuk mbarojnë këtu.
Në propozimin e sotëm thuhet shprehimisht se “në varësi të progresit të arritur” konferenca e parë mes qeverisë shqiptare dhe BE do të zhvillohet në fund të 2019.
Pra që tani kemi të bëjmë me një shtyrje kohore prej 18 muajsh, ndërkohë që vendet në garë me ne i kanë zhvilluar konferencat ndërqeveritare, vetëm gjysëm viti nga ajo që është konsideruar si hapje zyrtare negocitash.
Dhe kalvari nuk përfundon me kaq.
Askush nuk e di se ç’do të ndodhë nëse Shqipëria sërish nuk i plotëson detyrimet e saj. Askush nuk e di sesa mund të shumëfishohet ky 18 muajsh i servirur tani si fitore. Askush nuk e di se kur negociatat do të hapen realisht dhe se kur do të kemi një datë për t’u ulur konkretisht në tryezë.
Të gjitha këto paqartësi, pikpyetje dhe dyshime i japin më tepër të drejtë atyre që i mëshojnë idesë të dështimit. Sepse Rama e humbi bastin personal të ngjitjes së një shkalle drejt BE. Ajo që ka arritur, shumë e rëndësishme për të, por pak e vlefshme për shqiptarët, është se nga Luksemburgu i’u bënë disa dhurata që t’i shpëtonin fytyrën. Iu fal termi “hapje negociatash” dhe një datë efemere që askush se di se kur kanë për të ndodhur. Ajo që dihet me siguri është mënyra se përse do t’i përdorë ai këto.

/Lapsi.al