Reciklimi i historisë në Ballkanin Perëndimor Reciklimi i historisë në Ballkanin Perëndimor
Ballkani Perëndimor nuk do të mund ta përmbyllë historinë e vet tragjike pa një përqëndrim të ri të Brukselit dhe Washingtonit. Një përshkrim fare... Reciklimi i historisë në Ballkanin Perëndimor
Ballkani Perëndimor nuk do të mund ta përmbyllë historinë e vet tragjike pa një përqëndrim të ri të Brukselit dhe Washingtonit.

Një përshkrim fare i shkurtër i cili do të përpiqej t’i shpjegonte zhvillimet e tanishme në këto anë të Ballkanit dhe në Evropë, do të mund të konstatonte që teksa Ballkani ende nuk ka dalë nga historia e rëndë dhe tragjike e viteve të nëntëdhjeta, historia, në atë variantin më të keq të mundshëm, është ri-kthyer në Evropë.

Jemi pjesëmarrës dhe dëshmitarë pra, të një ‘trafiku’ të dendur të ngjarjeve të shumta politike dhe ekonomike, këndejpari dhe në Evropë, për të cilat ende nuk janë gjetur përgjigjet e duhura në Ballkan dhe në BE.

Si asnjëherë më parë, që prej fundit të ‘Luftës së Ftohtë’ e këndej, shtetet ballkanike dhe BE-ja, kanë telashe të mëdha të veta, ndërsa Brukseli ka gjithnjë e më pak kohë, vullnet dhe mundësi me u marrë me përmbylljen e domosdoshme të trashëgimisë tragjike historike të këtyre anëve.

BE-ja është në krizë të shumëfishtë të identitetit, e cila nisi me problemet e mëdha ekonomike dhe financiare, për të marrë hov më pas me një motërzim a variant të ‘Luftës së Ftohtë’  (‘Lufta e Ftohtë 2.0’), në relacionet midis Federatës së Rusisë dhe Perëndimit, me kërcënimin e vazhdueshëm nga terrorizmi, dhe me valën e madhe të refugjatëve  (që ka marrë përmasat e dyndjes së popujve), e cila midis të tjerash, kërcënon, me pasojat e saja, ta ri-konfigurojë hartën politike në Evropë, me një mëkëmbje sinjifikative të partive të ekstremit të djathtë.

Grumbullimi kaq i madh i problemeve në Zonën evropiane të Perëndimit, e cila ka një hise të madhe të stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Perëndimit dhe të Botës, është i paparë për decenie me radhë. BE-ja, siç dihet, nuk ka aktualisht (dhe vështirë që mund të ketë edhe në të ardhmen), Opsion rezervë apo Plan B, në rast të dështimit. Për BE-në vlenë ajo e moçmja amerikane: Tepër e madhe, për të dështuar.

Në anën tjetër, të gjitha gjashtë shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimorë, të cilat ende nuk janë integruar në Bashkimin Evropian, nuk po arrinë përfundimisht t’i qërojnë hesapet me mbetjet politike, ekonomike, sociale, madje edhe ato të mentalitetit, nga historia që kulmoi me luftërat e njëpasnjëshme dhe trazirat e përgjakshme, të cilat u ngritën tok me rënien e Komunizmit.

Bosnja e Hercegovina objektivisht, ka mbetë diku në vitin 1995, (kur u mbërrit Paqja e Daytonit), Maqedonia është në vitet 1993 dhe 2001  (problemi i emrit që rri pezull që nga hyrja e Maqedonisë në OKB, në vitin 1993, dhe moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, pas konfliktit të vitit 2001), Shqipëria ende nuk ka arritë t’i përmbyllë plagët politike të përmbysjes së madhe të vitit 1997, Serbia gjithashtu nuk ka lëvizë shumë nga viti 2003  (vrasja e Kryeministrit Gjingjiq dhe ngadalësimi i procesit të reformimit të shoqërisë), ndërsa Kosova e ka të papërfunduar procesin e shtetndërtimit, i cili formalisht ka nisë në vitin 2008, sepse nuk ka arritë të integrojë si duhet Veriun dhe nuk ka normalizuar marrëdhëniet me Serbinë. Mali i Zi e ka të domosdoshme të inkuadrohet në Paktin NATO, për të garantuar (përfundimisht), sovranitetin e vet.

Dikush mund të thotë që ky interpretim i përgjithësuar ka të meta sepse përpiqet të thjeshtësojë tej mase proceset politike në këto gjashtë shtete, por vështirë është të mëdyshet konkludimi që realisht, tek të gjitha këto shtete, kemi të bëjmë me punët e papërfunduara politike dhe historike, të cilat, si të tilla, kërcënojnë t’i riciklojnë problemet dhe tensionet të cilat rikujtojnë vitet dhe ngjarjet që është dashtë qëmoti të arkivohen.

Ai trafiku shumë i dendur politik në Evropë, e cila është e zënë me hallet e shumta që i ka, ka ndikuar që ky Ballkan, i tillë si është, me një mori problemesh që kërcënojnë qëndrueshmërinë e këtyre gjashtë shteteve dhe stabilitetin afatgjatë të kësaj ane të Evropës, të mos shihet si një prioritet i Brukselit, apo që madje, problemet ‘tradicionale’ ballkanike, të mos vlerësohen si të rrezikshme, krahasuar me ato që mbërritën nga Lindja ruse dhe Lindja arabe.

Nuk ka dyshim që nisma e Kancelares gjermane Merkel, e para dy viteve  (në Konferencën e Berlinit), ka synuar pikërisht që të mbahet interesimi evropian për këto gjashtë shtete të Ballkanit. Megjithatë, që prej atëherë, këndejpari vetëm sa janë shtuar telashet, të cilat mbi të gjitha janë rezultat i mospërfundimit të obligimeve që këto shtete kanë pasë ndaj vetëvetes dhe ndaj të tjerëve në rajon.

S’do mend që Ballkani Perëndimor nuk do të mund ta mbyllë historinë e vet tragjike pa një përqëndrim të ri të Brukselit dhe Washingtonit. (Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)