Rrëfimi i ish-Drejtorit të RTSH-së , Marash Hajati: Enver Hoxha ka qenë aktor i spikatur! Rrëfimi i ish-Drejtorit të RTSH-së , Marash Hajati: Enver Hoxha ka qenë aktor i spikatur!
Në kuadrin  e Dossierit  “Historia e rrallë  e RTSH”  tek lexuesi  do përcjellim intervistat e zhvilluara para 8-vitesh me personalitete  që hodhën themelet  e... Rrëfimi i ish-Drejtorit të RTSH-së , Marash Hajati: Enver Hoxha ka qenë aktor i spikatur!

Në kuadrin  e Dossierit  “Historia e rrallë  e RTSH”  tek lexuesi  do përcjellim intervistat e zhvilluara para 8-vitesh me personalitete  që hodhën themelet  e RTSH dhe u rritën bashkë me të. Këto intervista të ruajtura në arkivin e gazetës “Telegraf” përbëjnë një thesar për këtë  historik kaq të rëndësishëm të së vetmes Radio dhe Televizion deri në vitin 1991.

Albert Z. ZHOLI

Historia e rrallë e Kongresit të 8-të të PPSH

01-Në historinë e Partisë së Punës s’besoj të ketë pasur marrëdhënie më të ndërlikuara, sesa ato mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut

02-Në Kongresin e 8 për rreth shtatë ditë me radhë E. H. dhe M. Sh. Nuk do të qëndronin më pranë njëri-tjetrit dhe asnjëherë nuk do të dilnin bashkë në ekran

03- Në filmimin e seancave ku M. Shehu mbajti raportin në emër të Qeverisë, porosia ishte që kamerat të merrnin  më shumë sallën

04- Çajup Rusmajli i dërgoi një copë letër Fiqiretes, që mundësisht shoku Mehmet të ndërronte kostumin, mbasi nuk dilte bukur në televizion

 

 

-Mbi marrëdhëniet midis Enver Hoxhës me Mehmet Shehut muajt e fundit të aktit të vetëvrasjes ka shumë komente dhe enigma. Janë shkruar artikuj pa fund nga disa gazetarë në mënyrë abuzive pa pasur asnjë lloj kontakti apo të dhëne vizuale. Në këtë intervistë Marash Hajati hedh dritë për atë çka ka ndodhur në ditët e zhvillimit të kongresit të tetë të PPSH dhe marrëdhëniet mes  dy ish dy udhëheqësve kryesorë të Partisë në sistemin komunist.

 

Në shtypin shqiptar ka një maratonë marramendëse me histori dhe fakte të vërteta apo të sajuara, ngjarje që kanë ardhur deri në faqet e shtypit  dhe të emisioneve televizive: Me slogane ky më ka thënë e ky më ka rrëfyer për Partinë e Punës e në mënyrë të veçantë për rivalitetin të dukshëm e të padukshëm në mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Në këtë intervistë nuk kërkojmë t’ju fusim në këtë vorbull, por kemi dëshirë  të sjelli dëshmi të një intelektuali dhe drejtues i transmetimit televiziv të Kongresit të tetë të PPSH e si u kapërcye përkohësisht në dritën e televizionit konflikti mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.

 

Aspak për publicitet, as për t’u rreshtuar në anën e njërit aktor apo të tjetrit por për hir të së vërtetës, të faktit e të historisë të realitetit të ngjarjeve dua të ndaj me lexuesit  e gazetës “Telegraf” këto mendime:

Në historinë e Partisë së Punës s’besoj të ketë pasur marrëdhënie më të ndërlikuara, sesa ato mes Enver Hoxhës e Mehmet Shehut.’Në vite, ato kanë njohur diell e errësirë, ngrohje e acar, dualizëm e ndarje, puthje e nxjerrje armësh. Kjo, jo vetëm se ka qenë ndeshje midis dy të mëdhenjve të partisë e shtetit, por edhe sepse lidhjet e ndarjet, kontradiktat medies tyre u shtrinë në një kohë të gjatë e të pa krahasueshme me zhvillimin e ngjarjeve mes grupeve rivalizuese. Linja e dualizmit, herë e hapur e herë e fshehtë, ka qenë mes tyre temë e vazhdueshme. Edhe pse ajo nuk është shqiptuar me zë të lartë, qëllimi i saj final ka qenë pushteti. Ky dualizëm, si nyja e së mirës dhe e së keqes bashkë, shfaqej në fotografitë zyrtare, që herë qëndronin së toku, e herë ndaheshin. Shfaqej në citatet e parullave, në mure e lulishte, në botime e libra, kryesisht në ato të mbrojtjes, në përjetësimin e emrave e titujve.

 

Kur u dha sinjali i parë i acarimit?

Ngjarjet e ndërlikuara mes Enver Hoxhës. dhe Mehmet Shehut. po shtoheshin e acaroheshin, po zienin nga brenda. Por, po afrohej edhe koha e reagimit. Sinjalin e parë, aty nga mesi i tetorit e dha një konferencë e sektorit të shtypit. Në atë mbledhje u tha shkurt, rrjedhshëm e qartë, se në artikujt përkujtimorë e studimorë me rastin e festave, si edhe në emisionin për “Ngjarje e data” protagonistë të vetëm do të jenë Partia dhe Themeluesi i saj. Materialet më të rëndësishme do të kalonin për publikim, vetëm nëpërmjet sektorit. Afrimi i 40-vjetorit të Partisë dhe i kongresit të 8-të të saj po tingëllonin ftohtë dhe zbehtë. Në udhëheqjen lart pak entuziazëm, poshtë në bazë pak eufori. Këto ishin refleksionet e konkluzionet e atyre ditëve plot ankth.

Për ne të televizionit, viti 1981 ishte i veçantë.

Përse…?

Pas shumë përpjekjesh, studimesh, argumentesh, qeveria kishte akorduar një fond prej afro 10 milionë dollarë për blerjen e pajisje me ngjyra, sidomos nga firma e njohur gjermano-perëndimore “BOSCH”. Kontraktimet kishin përfunduar e pjesë-pjesë po realizoheshin edhe shlyerjet financiare. Në ato ditë tetori për herë të parë në historinë e tij, filloi transmetimi i programeve me ngjyra. Pikërisht në këtë kongres do të vihej për herë të parë në përdorim teknologjia me ngjyra.

 

A u dhanë udhëzime të veçanta për zhvillimin e Kongresit të Tetë të PPSH-së?

Katër ditë para fillimit të punimeve të Kongresit të 8-të të Partisë, në një takim të veçantë, në Komitetin Qendror u përpunua mënyra e regjistrimit dhe transmetimit të kësaj ngjarjeje me rëndësi. Për sa u bisedua në atë takim, s’do të bëhej asnjë fjalë, s’do të vihej në dijeni as redaksia e lajmeve, as regjia. Pulti i figurës do të vihej nën komandë të rreptë. Filmimi do të kalonte në tehun e një brisku, sa të mbante gjallë unitetin e varur në fije të perit. Për rreth shtatë ditë me radhë E. H. dhe M. Sh. Nuk do të qëndronin më pranë njëri-tjetrit dhe asnjëherë nuk do të dilnin bashkë në ekran. Filmimet do të bëheshin vetëm në lëvizje, duke filluar nga njëri krah i rreshtit e duke u ndalur në cepin tjetër. Skema, për të lehtësuar këtë situatë, ishte zgjidhur me vendosjen në mes të E. Hoxhës. dhe M. Shehut. të një anëtari të Byrosë Politike, që do të drejtonte sipas radhës seancat e punimeve të kongresit. Detyra jo e lehtë që në fillim iu ngarkua Ramiz Alisë. Sidoqoftë, kjo mënyrë vendosjeje lehtësoi shumë punën e regjistrimeve për televizionin. Kamerat s’do të fiksonin më së bashku buzëqeshjen e dy të mëdhenjve, pale bisedat kokë më kokë që i “gjuanin” me kujdes të veçantë. S’do të kishte më rrokje ‘duarsh, as përshëndetje. Këto, jo se nuk duheshin për sallën, për televizionin, por sepse ato realisht nuk ekzistonin e nuk do të përjetoheshin asnjëherë më në mes tyre… Kishte javë të tëra, që dy Kryesorët, bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e dekadave, me të mirat e me të këqijat, nuk flisnin me njëri-tjetrin. Buka ishte thyer, ajo s’ngjitej më. Tani, vetëm sa luhej “drama”. Ndoshta nga ato dramat më spektakolare. Aktorë ishin dy figurat më të larta të shtetit e të partisë. Dhe si për sfidë të artit, “shfaqja” e këtyre veprimeve zhvillohej në Teatrin e Operës e Baletit në prani të qindra delegatëve të ardhur nga e gjithë Shqipëria.

Konflikti mund të shpërthente në çdo minutë. Interesat e kohës kërkonin, që kjo mundësisht të mos ngjiste gjatë ditëve të kongresit. Për këtë, loja politike po bëhej tepër e zgjuar dhe finoke, sepse Mehmet Shehu ishte nga ata burra që mund ta bënte bam në çdo seancë. Gjithçka ecte tërhiq e mos këput. Le të kuptohej e le të mos kuptohej, le të besohej e të mos besohej se mes udhëheqësve nuk shkonte gjithçka mirë. Punimet e kongresit të shpëtoheshin.

Po cili ishte mendimi dhe qëndrimi i anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike? Deri në çfarë shkalle përcaktohej pranimi e mospranimi i kësaj ndarjeje?!

Asgjë e qartë. Atyre u kërkohej heshtje, vetëm heshtje. Në dhomën e kontrollit, apo edhe drejtpërdrejt në studiot e montazhit përcaktonim çfarë do të jepnim nga punimet e kongresit. Gjithçka shkonte mirë. Në ditën e tretë në seancat e paradites, Byroja Politike me sekretarin e parë në krye, erdhën të veshur me kostume bezhë. Një kënaqësi për televizionin. Ngjyrat e çelura zbukuronin ekranin. Veças nga të tjerët kryeministri atë ditë mbante rroba blu të errëta. Mos ishte rastësi, apo marrëveshje e qëllimshme për ta lënë ashtu edhe në paraqitje! Deri ku shkonte imagjinata!

Çajup Rusmajli ishte në atë kohë Drejtor i përgjithshëm i dërgoi një copë letër Fiqiretes, që mundësisht mbas dreke, shoku Mehmet të ndërronte kostumin, mbasi nuk dilte bukur në televizion. Tri herë e përgëzoi ajo drejtorin për këtë kujdes. Aq ishte e hutuar, sa edhe të tri herët, e pyeti, nëse mos atë interesim e kanë pasur edhe shokët lart. Kjo për të do të ishte një shpresë e madhe, do të ishte një lajm i gëzuar. Ato ditë bashkëshortja e numrit dy, e lodhur por jo e lëshuar, mbahej ende. Në pushimin e seancave, kur u takuam me Çajupin kolegun tim, i shpreha mendimin se kot ia kishte dërguar letrën Fiqiretes për çështjen e kostumit. Ku kishin më rëndësi ngjyrat e veshjet! Mbeti si i habitur. E lamë të takoheshim më vonë.

Në filmimin e seancave ku M. Shehu mbajti raportin në emër të Qeverisë, për zhvillimin ekonomik, me kameramanët patëm një “konflikt” të vogël, sepse me gjithë porosinë për të marrë më shumë sallën, ata, e drejtonin objektivin tek portreti i kryeministrit,me arsyetimin, se kur të bëhej montazhi do të kërkoheshin këto plane. Ata nuk mund të dinin se fjalimi, pothuajse tërësisht do të ilustrohej me pamje nga delegatët. Në kongres shumë gjëra u bënë ndryshe nga çdo herë tjetër. Nuk ishte fjala vetëm për entuziazmin e pakët e të zbehtë, as për dyshimet që po shtoheshin, por mungoi fare hapur demonstrimi në televizion i lidhjeve të ngushta mes udhëheqjes e delegatëve.

 

Pse si kishin funksionuar më parë në kongrese këto lidhje?

Ka qenë një zakon i njohur, që në pushimet e seancave, Byroja Politike me Enverin në krye, zbrisnin nga presidiumi në sallë, në fuaje, në mjediset e Teatrit të Operës e Baletit e bënin fotografi me grupe delegatësh. Këto në atë Kongres nuk u realizuan. Ishte e qartë. A mund të dilnin bashkë të gëzuar mes përfaqësuesve të partisë E. Hoxha e M. Shehu?!                  __

Po si u kapërxye ajo situatë e pazakontë disi e hutueshme bile deri e pakonceptueshme për atë kohë të frikshme, se çfarë po behët?

Të vetmet që vinin tek delegatët në kohën e pushimeve mes seancave ishin Nexhmija e Fiqeretja. Sa për kureshtje, kësaj të fundit i kishin caktuar në sallë një vend afër dyerve të platesë. S’kishte as më të voglin dyshim se vajtja e tyre tek delegatët  bëhej me qëllim të caktuar informimi, për të tatuar pulsin, për të mbledhur opinione. Delegatët nga ana e tyre në ato pushime, si të “uritur” me avazin e vjetër kërkonin të bënin fotografi. Mbasi grumbulloheshin tek shkallët, ftonin Nexhmijen në mes. Në këtë kohë si të ishin lodra fëmijësh vraponte drejt tyre edhe Fiqeretja. Por … Nexhmija linte grupin e largohej në mënyrë demonstrative pa bërë fotografi. A mund të kishte dëshpërim më të madh se aq, për palën që do të linte pushtetin, fronin? E ku dihej më tutje?   Kongresi mbylli punimet ashtu siç ishte parashikuar, me rënie të butë në dukje me fitore. Asnjë ndryshim thelbësor nuk u bë. Delegatët, të ftuarit dhe punonjësit e tjerë të shërbimit, mbi njëmijë vetë, bashkë me udhëheqjen u vendosën jashtë, në shkallët e Pallatit të Kulturës për të bërë një fotografi. Në realitet, në këtë kongres u mund plotësisht M. Shehu, por as E. Hoxha nuk doli fitimtar. Moralisht, siç do ta tregonte koha, edhe ai doli i humbur.

Mitingu i zakonshëm, mbas punimeve të Kongresit, në kryeqytet u organizua në gjendje të tensionuar për udhëheqjen. Fjalën e rastit u ngarkua ta mbante Kadri Azbiu. Goditjet kundër Mehmetit filluan. Ne u porositëm t’i jepnim vend të dukshëm folësit, pa harruar Kryesorin. Aq bëri përshtypje mbajtja e këtij fjalimi nga ministri i Punëve të Brendshme, sa u përfol kudo, se ai shumë shpejt do t’i zinte vendin kryeministrit. Për analogji kjo tezë ishte e besueshme, sepse në mitingjet mbas kongreseve vazhdimisht ka përshëndetur kryeministri. Mirëpo, kësaj radhe puna qëndronte tjetërkund. Atë do ta tregonte koha.

Pra këtu shënohet ndarja e madhe. Mund të na jepni pak më shumë detaje për këtë ndarje para dhe pas kongresit të tetë?

Ja si u ndanë E. H. me M. Sh. në dritën e kronikave televizive, në atë fund viti 1981: më 24 tetor, në prag të festave të nëntorit organizohej shpërndarja e dekoratës “40-vjetori i PPSH”. Ceromonia filloi jo pa qëllim nga udhëheqja e lartë e partisë. Televizioni porositet, që kamera të mbahet gjatë me pamjet kur S. Stefani do t’i vendoste në gjoks dekoratën E. Hoxliës. Të evidentoheshin edhe planet e shtrëngimit të duarve dhe të përqafimit. Për anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, këtu edhe për kryeministrin, të veprohet me kamera kalimthi, çka do të thoshte se M. Sh. nuk ishte më i dyti i partisë dhe i pari i shtetit, bile nuk kishte nderin të dekoronte E. H. as të qëndronte më në krah të tij. Nga data 1 deri më 8 Nëntor festimet e 40- vjetorit të Partisë dhe Kongresi i 8-të i saj, përbënin një kapitull të veçantë. Në tërë ato ngjarje të dy të mëdhenjtë, siç e thamë edhe më sipër, nuk u takuan dhe nuk folën asnjëherë bashkë. Përurimin e ekspozitës së arteve figurative e kryesoi R. Alia, çka do të thoshte se udhëheqësit e tjerë të rangut më të lartë, nuk kish pse të asistonin. Në ceremoni merr pjesë edhe Nexhmije Hoxha. Televizioni porositet ta nxjerrë në pah në mënyrë të veçantë. F. Shehu nuk duket gjëkundi. Në festën e çlirimit të Tiranës dhe aktivitetet për 28-29 Nëntorin, E. Hoxha nuk merr pjesë, si rrjedhim nuk caktohet nga protokolli i vulës së ftohtë as kryeministri, bile i rekomandohet të mos dalë në asnjë veprimtari. Në emisionin “Ngjarje e data” për çlirimin e kryeqytetit jepet urdhër të nënvizohet roli i Korparmatës së Parë e udhëhequr nga H. Kapo. Roli i M. Shehut që kishte çliruar Tiranën përmendet shkarazi.

 

Kur ka qenë dalja e fundit në televizion e Mehmet Sheut?

Veprimtaria e fundit publike në televizion e kryeministrit dhe e fundit përgjithmonë, qe një detyrim protokollar pritjeje, që ai i bëri zëvendës-kryetarit të Këshillit të Ministrave të Rumanisë, i cili ndodhej për vizitë në vendin tonë.

Në datën 17, duke u gdhirë 18 dhjetori, M. Shehu në një moment nervozizmi pa rrugëdalje vret veten. Pështjellim në udhëheqjen e partisë.

 

Çfarë ndodhi në këtë moment?

Puna më e vështirë, formulimi i komunikatës. Si fillim as nuk do të shpallej armik, as nuk do të mbahej zi. Njoftimet në bazë zbritën vonë. Edhe në organet qendrore të informacionit, u njoftuam me rrugë partie, nga komiteti i Tiranës. Në drejtorinë e përgjithshme këmbyem mendime, si të vepronim me programin. Vendosëm të mos bënim asnjë ndryshim përderisa s’kishim orientim të veçantë. Në bisedë e sipër, ra telefoni. Shefi i sektorit të shtypit edhe në këtë rast nuk e kurseu humorin:

– Domethënë, andej nga ju s’ka ndodhur gjë? Kështu! Gjithçka do të vazhdojë si më parë. Pa ndryshime. U kuptuam?

Këngët popullore, muzika e lehtë, vallet e meloditë që u transmetuan tërë ditën, ishin mesazhi më i saktë, se partia u nda edhe nga një armik tjetër. Për aktin e vetëvrasjes shefi ynë R. Alia tregohej shumë i nevrikosur.

Që M. Shehu do të eliminohej, s’kishte as më të voglin dyshim. Por me veprimin e tij prishi skemën e largimit nga froni siç praktikohej disi më butë, duke zbritur shkallë-shkallë, siç ishte vepruar gjithnjë me të skualifikuarit nga udhëheqja. Ata që do të merreshin në analizë nga partia do të bënin në fillim autokritikë me shkrim, pastaj shkarkoheshin nga funksionet, dërgoheshin në bazë, e më tutje fundi i njohur, arrestimi e dhënia llogari. Të gjitha këto, i shembi M. Shehu me veprimin e tij.

Në programacionet e radios e sidomos të televizionit, erdhi një përmbysje e re e programeve. Do të kalonin në arkiv pa të drejtë transmetimi dhjetëra emisione. Me to mund të bëhej montazh vetëm me leje të veçantë. Historia dokumentare po cungohej përsëri. Në fotografitë e Luftës çdo 5-6 vjet bëheshin retushe, që të mos dukeshin në ekran fytyra komandantësh e gjeneralësh. Tani do të hiqej edhe M. Shehu me pasuesit e tij. Kush do mbetej në to?!

Si vazhdim i spastrimeve u zbritën nga muret afishe, pllakate, parulla, citate etj. U hoqën shumë këngë e libra, çdo gjë që lidhej me figurën e kryeministrit. Pati edhe nga ata më të devotshmit që propozuan të rishikohej e gjithë krijimtaria e krahinës së Mallakastrës, dhe bile nëse duhej transmetuar më kënga e njohur e “Çelo Mezanit”, mbasi dihej publikisht se i pëlqente M. Shehut.