Rriten shpresat për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë Rriten shpresat për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë
Pas helmimit të marrëdhënieve dypalëshe për 26 vjet, Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka thënë se mosmarrëveshja në lidhje me emrin e Maqedonisë,... Rriten shpresat për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë

Pas helmimit të marrëdhënieve dypalëshe për 26 vjet, Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka thënë se mosmarrëveshja në lidhje me emrin e Maqedonisë, që Athina e kundërshton, duhet të zgjidhet së shpejti.

Në një intervistë më 5 nëntor për të përditshmen greke Kathimerini, Kotzias, i cili vitin e kaluar u shpreh se do të duheshin vite që të dy vendet të binin dakord për një emër të përbashkët të pranuar nga të dyja palët, tha se çështja “duhet të zgjidhet brenda gjysmës së parë të 2018-ës”.

“Nëse kjo do të zgjidhet, atëherë do të jetë thjesht çështje tre apo katër muash burokraci në Kombet e Bashkuara,” citohet të ketë thënë Kotzias.

“Nëse jo, do të ketë vështirësi shumë të mëdha,” shtoi Kotzias, duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni dhe zgjedhjeve të përgjithshme në Greqi në vitin 2019, të cilat ka gjasa të pengojnë rrugën e bisedimeve të mëtejshme substanciale.

Ndjenja e re e urgjencës dhe e optimizmit reflektohet edhe tek zyrtarët e lartë maqedonas.

“Maqedonia pret një datë për fillimin e negociatave të saj të pranimit në BE nga mesi i vitit të ardhshëm,” tha kryeministri i ri i vendit Zoran Zaev më herët këtë muaj.

Zaev tha se ai është plotësisht i ndërgjegjshëm se kjo do të ishte e mundur vetëm nëse Maqedonia dhe Greqia deri atëherë do të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre.

Shpresat për një zgjidhje dolën menjëherë pasi social demokratët erdhën në pushtet në Maqedoni në maj.

Zyra e Zaevit e bëri të qartë se donte të shkëputej nga praktikat e qeverisë së mëparshme që thjesht debatonte me Greqinë për emrin e vendit dhe të angazhohej në përpjekje “të hapura dhe të sinqerta” për të përmirësuar marrëdhëniet dhe të kërkonte ndihmën e Greqisë për anëtarësimin e saj në NATO dhe në BE.

Pas vitesh të tëra marrëdhëniesh diplomatike të ftohta, në qershor, ministri i ri i jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov, u prit ngrohtë në Athinë.

Ky takim dhe vizita e kthimit nga Kotzias në Maqedoni në gusht janë përdorur për të rindërtuar besimin përpara një raundi të ri të bisedimesh të ndërmjetësuara nga OKB-ja që të dyja palët mezi i presin.

Sipas raporteve jo zyrtare nga të dyja palët, bisedimet zyrtare të lehtësuara nga ndërmjetësi i OKB-së, Mattheë Nimetz, i cili e vizitoi rajonin në korrik pas një mungese të gjatë, duhet të fillojnë nga fundi i këtij muaji ose në fillim të dhjetorit.

Nëse çdo gjë shkon sipas planit, në fillim të vitit 2018, të dyja palët mund të angazhohen thellësisht në bisedime më të hollësishme mbi një zgjidhje për emrin./Sovrani.info/