Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, thotë se një nga gabimet e mazhorancës gjatë vitit 2016, në mandatin e parë të saj në...

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, thotë se një nga gabimet e mazhorancës gjatë vitit 2016, në mandatin e parë të saj në pushtet ishte fakti që organet ligjzbatuese nuk funksionuan sic duhet sa i përket kultivimit të kanabisit në vendin tonë.
E organi më i rëndësishëm që duhej të bënte monitorimin e territorit për të parë nëse kultivohej apo jo kanabis, është Policia e Shtetit. Në atë kohë Ministria e Punëve të Brendshme drejtohej nga Saimir Tahiri, sot i vënë në hetim nga Prokuroria e Përgjithshme për trafik të drogës në bashkëpunim dhe korrupsion. Ndërkohë shumë zyrtarë të policisë, ish-drejtues të drejtorive vendore të vendosur në këto poste gjatë kohës së Tahirit, janë në kërkim apo në hetim si të përfshirë në kët veprimtari kriminale.

Sipas hetimeve, trafikantët kanë vepruar lirisht duke kultivuar në territorin shqiptar pasi nuk kanë pasur goditjen e duhur nga organet ligjzbatuese, e në raste specifike, edhe janë favorizuar. Por ndërsa hetimet e nisura që përfshijnë edhe vënien nën akuzë të ish-ministrit, pritet të marrin formë deri në dërgimin në gjykatë, kreu i kuvendit me deklaratën e bërë ku pranon gabimin e mazhorancës, në mënyrë indirekte, kritika e tij, duket se i referohet pikërisht Saimir Tahirit dhe politikave që ai ndoqi ndaj policisë së shtetit dhe betejës së saj për të luftuar kanabisin.

I ftuar në Top Story, Ruci u shpreh konkretisht: “Një nga gabimet e mazhorancës është mos zbatimi i misionit dhe detyrat e organeve ligj zbatuese për të kontrolluar territorin për kanabisin. Në çfarë mase, kjo është e diskutueshme, por që ka qenë aty ka qenë aty”.

Gramoz Ruci ka qenë edhe vetë pjesë e mazhorancës si kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndërsa me marrjen e detyrës së kryeparlamentarit është zhveshur nga ky post.

Por i pyetur drejtpërdrejtë nga moderatori Sokol Balla se a ka një koment për cështjen Tahiri, Ruci e anashkalon përgjigjen me argumentin se nuk kërkon të ndikojë në hetime.

“Në raste të tilla, siç është çështja e zotit Tahiri, politika të heshtë derisa drejtësia të flasë. Ne duhet të mbajmë duart larg derisa drejtësia të shprehet për rastin konkret. Nuk bëj komente, qoftë nga pozicioni personal, as politik dhe aq më tepër si kryetar Kuvendit”, deklaroi Ruçi.

Por i nderuar ndihet Ruci nga puna e ministrit te ri te Brendshem, Fatmir Xhafaj, ne masat qe ai dhe policia moren per te goditur kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.

“Nëse ish-inistrit të brendshëm kjo gjë i doli nga kontrolli, atëherë ishte tepër vonë dhe çështja është që në 2017 masat që u morën ishin shumë të ashpra dhe kjo na nderon”, – perfundoi ai.