Sacchi analizon Serinë A: Kush meriton të shkojë në Champions, dyshimet dhe surpriza e sezonit Sacchi analizon Serinë A: Kush meriton të shkojë në Champions, dyshimet dhe surpriza e sezonit
Arrigo Sacchi ka vite që është tërhequr nga futbolli, duke shijuar pensionin, por e ndjek me vëmendje Serinë A dhe në një intervistë për... Sacchi analizon Serinë A: Kush meriton të shkojë në Champions, dyshimet dhe surpriza e sezonit

Arrigo Sacchi ka vite që është tërhequr nga futbolli, duke shijuar pensionin, por e ndjek me vëmendje Serinë A dhe në një intervistë për Gazzetta dello Sport ka folur për tema të ndryshme, ku natyrisht fokusi ka qenë te Milani dhe gara për një vend në Champions League.

Dueli për Champions dhe surprizat e shumta: “Kjo pasiguri ka një shpjegim. Skuadrat, thuajse të gjitha, po luajnë me dinjitet dhe profesionalizëm, duke mos toleruar e duke mos dhuruar asgjë. Shihni Sassuolon kundër Romës, apo Napoli kundër Interit. Kjo është mënyre korrekte për të interpretuar futbollin”.

Atalanta, Inter, Milan apo Roma në Champions? “Atalanta është skuadra që e meriton më shumë nga të gjitha që të shkojë në Champions. Nga këto 4 klube, është ai që ka shpenzuar më pak, ka skuadrën me më pak lojtarë, por luan futbollin më të mirë. Duhet të fitojë ai që meriton, ndaj jam i bindur që Atalanta duhet të shkojë në Champions. Jetojmë në një vend ku korrektësia nuk është prioritet, ndaj shpresoj që arbitrat të mos ndikohen, rregullat duhet të jenë të barabarta për të gjithë. Ne italianët kështu jemi gatuar, nuk po akuzoj askënd”.

Interi dhe shpartallimi në Napoli: “Problemi nis nga klubi. Kur nuk është i pranishëm klubi, trajneri e ka të vështirë. Më duket se tek Interi ka shumë stres, mungon qetësia. Për këtë arsye, nuk mund të fajësohet vetëm Spalletti, rrënjët e problemit janë gjetkë”.

Inter-Empoli, një finale: “Empoli është një ndër skuadrat që luan futbollin më të bukur në Itali. Një grup djemsh thuajse të panjohur, që po ndjek 100% trajnerin Andreazzoli. A do kenë këta të rinj personalitetin që të përballojnë si duhet një sfidë në një skenë si San Siro? Mbaj mend që Empoli i Sarrit dominoi ndaj Milanit në zotërimin e topit, brenda në Milano. Tani ndeshja më duket e hapur, sepse në futboll vendosin idetë, puna dhe serioziteti, jo emrat. Empoli duhet të shkojë në San Siro për të luajtur futboll, jo për t’u mbrojtur”.

Milani e Roma: “Nuk e kanë në dorë fatin e vet. Gjithsesi, Milani mund t’ia dalë mbanë ndaj Spalit, që e ka kryer kryeveprën e vet, duke siguruar mbijetesën. Nuk dua të flas shumë për Milanin, sepse i dua shumë Gattuson, Maldinin dhe Leonardon, që kanë bërë një punë shumë të mirë, sepse nuk është e lehtë të rindërtosh ekipin dhe të gjesh edhe lojtarë si Paqueta e Piatek në janar”.

Surpriza e sezonit: “Mendoj Parma. Duke pasur parasysh vështirësitë e verës së shkuar, duhet ta pranoj që Parma ka bërë një mrekulli të vërtetë sportive. Duhet t’u bëj komplimente klubit, trajnerit dhe lojtarëve. Kanë arritur diçka të madhe, që mund të jetë baza për të ardhmen. Bravo!”.