SHBA: Qeveria legjitime, opozita braktisi detyrimet ndaj qytetarëve SHBA: Qeveria legjitime, opozita braktisi detyrimet ndaj qytetarëve
Një ditë përpara protestës së opozitës, Ambasada Amerikane ka reaguar zyrtarisht duke thënë se qeverinë shqiptare të dalë nga zgjedhjet e qershorit të vitit... SHBA: Qeveria legjitime, opozita braktisi detyrimet ndaj qytetarëve

Një ditë përpara protestës së opozitës, Ambasada Amerikane ka reaguar zyrtarisht duke thënë se qeverinë shqiptare të dalë nga zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, e konsideron legjitime. Ambasada thotë se protesta është një shtyllë themelore e demokracisë, por nuk duhet të nxitet apo të ushtrohet dhunë.

“Pavarësisht se protesta paqësore është një shtyllë themelore e demokracisë, nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike, janë të paligjshme. Ne i nxisim të gjithë aktorët e demokracisë shqiptare që të ushtrojnë vetëpërmbajtje në protestën e 16 marsit. Ambasada e Shteteve të Bashkuara i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht. Ne vlerësojmë punën e mirë që është bërë në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka ende punë për të bërë”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Një mesazh i është dhënë edhe ish-deputetëve të opozitës, për të cilët Ambasada Amerikane thotë se braktisën detyrimet ndaj qytetarëve, e tani duhet t’i lënë të tjerët të punojnë për të mirën e Shqipërisë, duke iu referuar kandidatëve që kanë pranuar apo do të pranojnë mandatin për të hyrë në Parlament.

“Ndërkohë që, ata ish anëtarë të Parlamentit të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre. Ne mbështesim të gjithë ata që vazhdojnë të jenë të përfshirë në procesin demokratik në Parlament, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, përfundon deklarata e Ambasadës Amerikane.