Shkolla dhe populizmi Shkolla dhe populizmi

Shkolla dhe populizmi

Opinione 18 March, 2018, 18:04

Autori: Blerim Reka Gjatë çerek shekullit post- komunist, në Ballkan nuk u ofrua alternativa liberale. Ky nacionalizëm korruptiv nën petkun populist, nuk mbylli asnjë... Shkolla dhe populizmi

Autori: Blerim Reka

Gjatë çerek shekullit post- komunist, në Ballkan nuk u ofrua alternativa liberale. Ky nacionalizëm korruptiv nën petkun populist, nuk mbylli asnjë çështje të hapur kombëtare, vetëm se hapte kontot bankare të shtetarëve. Bile populistët e këtushëm të vegjël, provuan të imitojnë “babën e madh” të populizmit putinian si alternativë të BE-së.

Hapja e një shkolle, mbyll një burg; do parafrazoja gjeniun e letrave frenge Viktor Hygo. Si atëherë edhe sot, për të kuptuar çfarë shteti është, shihe se çfarë arsimi ka. Shembulli i Finlandës këtë e shpjegon më së miri. Një shtet i vogël, por me sistem model të arsimit- krijoi një brend global: “Nokia”. Po në Ballkan? Cili është brendi ynë? Çka krijuan ballkanasit në përgjithësi dhe çka shqiptarët në veçanti? Çka mund të ofrojmë me vendet tona të fundit në tabelën e PISA? Shumë diploma, e pak dije? Sasi- por jo cilësi gradash arsimore?

SI DERI TE SHOQËRIA E BAZUAR NË DIJE?

Nëse pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët në Maqedoni nuk kishin as edhe një fakultet, sot i kanë tri universitete. Atëherë sfida e mësuesve të parë ishte ç’ rrënjosja e analfabetizmit masiv. Sot, ndërkaq po përballemi me analfabetizmin funksional, sepse në universitet vjen ai brum që ngjeshët në fillore dhe të mesme. Me tri vite universitare, nuk mund të korrigjohen nëntë vite të humbura shkollore. Nëse, para shtatë dekadash duhej prodhuar sa më shumë mësues për të hapur sa më shumë shkolla shqipe; sot ndërkaq arritëm në pikën që të prodhojmë doktor e magjistra të papunë: 38 nga të parët dhe 863 të fundit presin në byronë e punësimit. Jo pa arsye top 500 universitetet botërore janëato që janë, sepse 90% e të diplomuarve të tyre, punësohen një vit pas diplomimit.

Madje, edhe për një Bashkim Europian- një nga tri tregjet më të pasura botërore dhe vendndodhja e demokracive më të avancuara liberale- arsimimi mbetet prioritet strategjik. “Knowledge based society”, nuk është vetëm një spot propagandues i Brukselit, sepse miliardat euro të tatim-paguesve europian shpenzohen për programet arsimore: “ERASMUS +” dhe “Horizon: 2020”.

Shoqëria e bazuar në dije, është aq më e nevojshme për periferinë e BE- këtu ku, qytetarët po varfërohen e shtetarët po pasurohen. Sot, në Maqedoni, 33,5 % e qytetarëve e konsiderojnë veten të varfër (sipas hulumtimit të javës së kaluar nga “Finance think”). Shqipëria, sipas Bankës Botërore llogaritet se “kushton” 153,6 miliardë dollarë, apo aq sa vetëm pasuria e pronarit të “Amazonit”. Prandaj viteve të fundit, ishin shpërngulur 330 mijë qytetarë të saj. Ndërkaq, në Kosovë, gjatë pesë viteve të fundit, vetëm për aplikim për viza shengeni, qytetarët e saj kishin paguar 25 milionë EURO.
Paradoksalisht, vendet e Ballkanit dhe Moldavia, janë të fundit për nga ekonomia, por të parat për nga ndotja e ambientit! Bosnja e Hercegovina mban vendin e parë për nga vdekshmëria ekologjike dhe e dyta në botë, (pas Koresë Veriore), kurse pas saj vijnë: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia. Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se nga ndotja e ajrit, në Bosnje e Hercegovinë vdesin dhjetë herë më shumë se në Gjermani! Pra, flasim për Ballkanin e pa-industrializuar, që nga feudalizmi kaloi direkt në komunizëm- pa tranzituar nëpër industrializmin borgjez. Vendet ballkanike edhepse subindustriale, prodhojnë, më shumë helm se sa vendet e industrializuara! Mungesë inovacioni teknologjik? Po, por kjo teknologji nuk mund të krijohet pa dije; e as dija pa arsim cilësor. Vetëm një model cilësor i arsimit, shpie drejt një shoqërie të bazuar në dije.

NACIONALIZMI KORRUPTIV

Varfëria dhe paperspektiva në shtetet e kapura, krijoi shoqëri me qytetarë të pakënaqur. Humbja e besimit në sistemin, shtyu qytetarët në kërkimin e “shpëtimit” – duke ikur nga realiteti i zymtë. Çdo i dyti i ri – siç tregojnë anketat e fundit, do të ikte nga ky realitet depresiv, me largim nga vendi.
Të tjerët e zëvendësojnë botën reale me botën hyjnore dhe shkollat me xhamitë. Prandaj, sot shumë të rinj preferojnë ta dëgjojnë hoxhën- para arsimtarit, ndërkaq midis dy komuniteteve më të mëdha në vend, vazhdon gara se kush do ndërtoj më shumë kisha e xhamia; e jo më shumë shkolla.

Jo pak të rinj lënë shkollat për ty zhytur në realitetin e vrazhdë të rrugës. Po bie autoriteti i mësuesit e po forcohet arroganca e nxënësit. Prandaj edhe shkollat po na zbrazen dhe burgjet po na mbushen. Shiringat i gjeni edhe në oborret shkollore. Në ato oborre mund ta shihni edhe imitimin e “bosave”- nga adoleshentët. Ky është fatkeqësisht ideali i atyre- që një ditë të bëhen “bosa”, sepse të tillë e kemi shoqërinë: të sunduar nga bosat. Në çdo shtet ka mafi, por në Ballkan, mafitë kanë shtete. Jo rastësisht BE, nga viti 2016, shtetet ballkanike filloj ti quante “shtete të kapura”.
Një tabllo e tillë e de-iluzionizimit me gjendjen e shoqërisë, vetëm sa u ndihmoi agjendave populiste. E kemi të freskët ende mjeshtrin e qeverisjes populiste të 11 viteve të kaluara. Duke manipuluar me pakënaqësinë reale të qytetarëve, populizmi u ofronte atyre kornizën ideale të shoqërisë. Pra, premtohej një shoqëri virtuale, në vend të asaj reale. Simbolet dhe sloganet populiste iu përshtatën asaj – çka qytetarët donin të dëgjojnë.

Ky populizëm ballkanik ka bazën ideologjike në nacionalizmin korruptiv. Elitatat shtetërore pasurohen, duke i shitur masave- opiumin nacionalist. Në treg nxirren idetë e mëdha për: kombin, flamurin, emrin e shtetit dhe kufijtë. Por, ky “nacionalizëm”, më së paku është ideologji. Aq më pak atdhetare; por kryesisht një profesion pasurues, ku mafio-kracia zëvendësoi demokracinë. Na kumbojnë ende sloganet: “emrin nuk e japim”. Mirëpo, po këta autorë të parullave të tilla, nuk i jepnin as llogaritë e tyre bankare në parajsat e huaja tatimore. Sa më shumë që zgjaste fiksimi i popullit me emrin, aq më shumë zgjatej qeverisja dhe po aq shumoheshin llogaritë bankare jashtë shtetit. Me parulla të mëdha patriotike, funksiononte perfekt modeli i shtetit: me shtetarë të pasur dhe qytetar të varfër.

DEMOKRACIA POST- POPULISTE FILLON NGA SHKOLLA

Gjatë çerek shekullit post- komunist, në Ballkan nuk u ofrua alternativa liberale. Ky nacionalizëm korruptiv nën petkun populist, nuk mbylli asnjë çështje të hapur kombëtare, vetëm se hapte kontot bankare të shtetarëve. Bile populistët e këtushëm të vegjël, provuan të imitojnë “babën e madh” të populizmit putinian si alternativë të BE-së. Jo rastësisht vetëm qeveria e kaluar bashkë me atë të Serbisë, ishin të vetmet, që nuk iu bashkuan sanksioneve ekonomike të BE-së ndaj Rusisë.
Ç është e vërteta populizmin putinist, provuan ta imitojnë madje edhe ca lider vendesh anëtare të BE që para 15 viteve ishin anëtarësuar në Bashkimin Europian. Pamundësia e kapjes së hapit me zhvillimin ekonomik- me pjesën tjetër të BE-së- vegjetoi politikat populiste në këto vende, disa nga të cilat, janë ende nën gjysmën e mesatares së GDP në nivel të Bashkimit Europian. Sipas Bankës Botërore, fitimet e qytetarëve të këtyre vendeve të “Europës së re“, viteve të fundit u ulën për 7%; krahasuar me rritjen për 66% të qytetarëve të “Europës së vjetër”. Kjo shpjegon se pse edhe përkundër pamundësisë së populistëve për të formuar qeveritë në dy shtyllat kryesore të BE-së: në Francë e Gjermani; populistët euro-skeptik sundojnë në Europën Qendrore dhe Lindore. Nëse në Gjykatën Europiane të së Drejtës, u inicua procedura kundër një shteti anëtar të BE, për shkak të aprovimit të ligjit për mbylljen e një universiteti, kjo flet më së miri pse madje edhe në Europë, politikat populiste nuk e duan aq shkollën. Sidomos jo arsimin kritik që e çjerr maskën populiste. Prandaj: demokracia post-populiste fillon nga shkolla. Ne nuk kemi as naftë, as gaz natyror, e as diamante. Nuk i kishte as Japonia e rrafshuar dhe e de-sovranizuar pas Luftës së Dytë Botërore, por sistemi i saj shkollor ishte baza e “bumit: të saj teknologjik nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar.

Ballkani, ka shumë deficite, por nëse asgjë tjetër, ka suficit të të rinjve. Kjo “armatë” rinore vetëm duhet kornizuar brenda një sistemi të avancuar arsimor, për të qenë nesër bartës i progresit. Nëse e humbim edhe rininë, kemi humbur edhe asetin e vetëm të mbetur. Dija është baza e një shoqërie të shëndoshë. Çdo gjë fillon nga koka. Do bëhemi pjesë e botës së civilizuar, vetëm atëherë kur shoqërinë do e sundoj truri dhe jo muskujt.