Shtatë receta urbanistike për ndryshimet klimatike Shtatë receta urbanistike për ndryshimet klimatike
  Nga Gentian Kaprata Ndryshimet klimatike janë një realitet që po e mohove, të kapin nga mënga e xhaketës. Përditë dhe më evidente bëhen... Shtatë receta urbanistike për ndryshimet klimatike

 

Nga Gentian Kaprata

Ndryshimet klimatike janë një realitet që po e mohove, të kapin nga mënga e xhaketës. Përditë dhe më evidente bëhen ndryshimet e motit edhe në këtë vendin tonë të vogël. Duket se të jesh një vend territorialisht i vogël nuk të imunizuaka as nga sëmundjet e mëdha. Kurse të jesh i varfër, përveçse i vogël, të vështirëson shërimin nga sëmundje të tilla globale, por me simptoma lokale. Sepse, megjithëse kontributoret për ndryshime klimatike janë vendet më të mëdha dhe më të pasura, ndikimi i tyre në cilësinë e jetesës së gjallesave është pothuajse i njëjtë në të gjithë globin. Prandaj ato nuk duhen injoruar, as edhe nga një vend i vogël si Shqipëria, e cila duhet të veprojë me shpejtësi dhe zgjuarsi, për të minimizuar dëmet e pariparueshme të ndryshimeve klimatike.

Ndoshta është herët të flasim për Konferencën ‘Mbi Ndryshimet Klimatike’ të Kombeve të Bashkuara (COP 21), e cila u mbajt në Paris dhjetorin e kaluar dhe vendosi synime që pritet të konsiderohen pas vitit 2020. Trajtimet afatgjata janë shumë të rëndësishme për sëmundje të këtij niveli, por më e rëndësishme është të mos injorojmë terapitë e përditshme. Të tilla identifikohen nga Strategjia e Zhvillimit e BE (EU 2020) ‘Për një Zhvillim të Zgjuar, të Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirës’. Ishte kjo Strategji, që përcaktoi tri synime konkrete, deri në vitin 2020: Së pari, uljen në masën 20-30% të lëshimit të gazit të efektit serë; së dyti, konvertimin në masën 20% të energjisë në të rinovueshme; dhe së treti, rritjen e eficiencës së energjisë në masën 20%.

Janë këto synime konkrete, te të cilat duhet të fokusohemi edhe ne shqiptarët, për të përcaktuar lokalisht dhe specifikisht protokollet dhe barnat konkrete. Çdo disiplinë shkencore e aplikuar duhet të japë ndihmesën e vet, por , referuar ‘Letrës së Bardhë’ (BE, 2009) dhe ‘Axhendës Territoriale ‘ (TA 2020), planifikimet territoriale dhe urbane kanë një rol vendimtar për të luajtur, për shkak të lidhjes eksplicite që kanë. Nëse bëjmë një vlerësim krahasues, Shqipëria shfaqet me nivel të lartëvulnerabiliteti ndaj ndryshimeve klimatike. Sikurse impaktet potenciale, edhe kapacitetet adoptuese (dy aspektet vlerësuese), nuk na privilegjojnë. Fatit të keq, që jemi një vend me 300 ditë me diell në vit dhe me një shtrirje të gjatë bregdetare, nuk kemi çfarë t’i bëjmë.

E çuditshme, por e vërtetë! Në planifikim, disa komponentë që kanë valencë pozitive në një aspekt, mund të ndikojnë negativisht në një aspekt tjetër. Sidoqoftë, mund të bëjmë shumëçka me gjërat që kemi në dorë, nisur nga planifikimi i zhvillimeve në territorin kombëtar dhe në qytetet tona. Dhe këtu sapo erdhëm te receta e parë: Shqipërisë i nevojitet një rishpërndarje e popullsisë nëpër territorin, nëpërmjet një lëvizjeje të kundërt nga ajo aktuale. Pra, nga zonat fushore e bregdetare, drejt zonave malore. Receta e dytë ka të bëjë me ekuilibrimin demografik të qyteteve. Në krahasim me gjendjen ekzistuese, qytetet duhet të jenë kompakte dhe të njëtrajtshme. Pra, as të mbipopulluara dhe as nënpopulluara, sepse tejshtrirja dhe densiteti i ulët dëmtojnë.

Receta e tretë i referohet sistemit rrugor kombëtar. Çdo investim i rëndësishëm për lidhje të shpejtë mes rajoneve, qyteteve dhe qendrave të banuara është një investim shumë produktiv. Receta e katërt na kalon nga Shqipëria territoriale në atë urbane. Qytetet duhet të planifikohen me korridore të gjera ajrore. Të përcaktuara në respekt të trëndafilit të erërave, ato ndihmojnë qytetet të ajrosen. Ajrimi natyror i njësive të banimit dhe përdorimeve të tjera ul nevojën e ndërtesave për klimatizim artificial. Planifikimi i një transporti të gjerë e të shumëllojshëm urban është receta e pestë. Ai minimizon varësinë e qytetit ndaj transportit me autovetura. Çka është një kontribut pozitiv në uljen e konsumin të energjisë nga hidrokarburet, dhe ndotjes së ajrit.

Receta e parafundit i drejtohet përmirësimeve në njësitë urbane. Ato duhet të jenë të përdorimit miks, dhe jo vetëm për banim. Projektimi urban mund të bëj mrekullira për të krijuar lagje të sigurta për të gjitha grupmoshat e rezidentëve dhe për të gjitha aktivitetet ditore të tyre. Kjo ul nevojën e qytetit për tranzit urban dhe shtrin hapësirat e hapura dhe të gjelbra. Për të ardhur te banesa dhe receta e shtatë. Banesat e të ardhmes duhet të projektohen me koeficient të lartë të eficiencës dhe autonomisë energjetike. Kurse stoku i banesave ekzistuese duhet të rikonstruktohen, me synim modernizimin dhe rritjen e eficiencës së energjisë, për t’u përshtatur, aq sa kushtet lejojnë, me risitë teknologjike dhe burimet e furnizimit me energji alternative nga ekzistueset.