Në verë, turizmi është më shumë sesa disa çadra në rërë. Biznesi i argëtimit zhvendoset drejt bregdetit. Aty luhet me shijet, me trendet e...

Në verë, turizmi është më shumë sesa disa çadra në rërë. Biznesi i argëtimit zhvendoset drejt bregdetit. Aty luhet me shijet, me trendet e fundit, me festat me shkumë, lojërat ujore sportive, këngëtarët dhe DJ më “in” të momentit.
Tek e fundit, ato janë “zot” për pak kohë. Por këtë vit bizneset ankohen se ka rënie. Shtohen klientët e huaj.Agjencitë që merren me sjelljen e këngëtarëve dhe DJ, thonë se tarifat për këto shërbime janë rritur ndjeshëm nga viti në vit.

Këngëtarët shqiptarë paguhen më pak se ata nga Kosova. Ndërsa grupet hyjnë pak në preferencat e diskove verore, e këtu përjashtim bën vetëm legjenda “Elita 5”. Pagesat e tyre llogariten nga 3,000-4,000 euro në natë.

Këngëtarët shqiptarë paguhen mesatarisht 2,000 deri në 5,000 euro në natë për performancat që shpesh janë edhe me “play back”.

Këngëtarë si Ledri apo Noizy mund të paguhen në natë nga 4,000–5,000 euro. Menaxherët japin edhe shifra që kanë shkuar në 7,000 euro në natë për këngëtarë të caktuar.

Më të mirëpaguar janë këngëtarët nga Kosova, tarifat për të cilët shpesh i kalojnë 4,000 euro në natë.

Ghetto Geasy, Capital T, Agon Amiga, Nora Istrefi, Dafina Zeqiri, Genta Ismaili, etj., janë ndër emrat që pëlqehen më shumë. Për shembull: Dafina Zeqiri paguhet 5,000 euro në natë, ndërsa Capital T rreth 4,000.