Si u bëmë të gjithë qytetarë Si u bëmë të gjithë qytetarë
NDUE DEDAJ  Mrekullia ndodhi. Vetëm për ne shqiptarët. U bëmë të gjithë qytetarë. As në tre mijë vjet e as në treqind vjet, por... Si u bëmë të gjithë qytetarë

NDUE DEDAJ Ndue-Dedaj

Mrekullia ndodhi. Vetëm për ne shqiptarët. U bëmë të gjithë qytetarë. As në tre mijë vjet e as në treqind vjet, por në më pak se 30 vjet. Lamë pas gjithë ç’kishim ndërtuar me shekuj ndër male dhe u nisëm për kah qyteti. Ani se pa shtëpi. Pa punë. Pa prona. Kishte ardhur dita e madhe që të mos e kthenim më kokën prapa.

Ku ka më mirë se me qenë të gjithë qytetarë! Mblidhemi deng në kafenetë e qytetit, edhe pse disa prej nesh e kanë shtëpinë e origjinës në lugina të bukura, pak metra mbi apo nën autostradë dhe qytetin jo më shumë se pesë kilometra. Mirëpo, atje të vjen era “fshat”, ndaj kemi marrë shtëpi me qira në qytet dhe jemi bërë qytetarë! Tani nuk i vrasim më duart me punë, mbill, prashit e korr, por shullëhemi trotuareve, japim e marrim me “Facebook”-un, thashethemet, selfie-t. Kjo është moda tani.

O Zot, çfarë shpikje! Çfarë do të kishte bërë njerëzimi pa të? Po nuk bubërrove orë e çast në smartphone, nuk je modern, domethënë qytetar.