Skënderbeu, aleat apo vasal i Alfonsit të Napolit? Skënderbeu, aleat apo vasal i Alfonsit të Napolit?
Aleks Luarasi Shekulli XV shënoi një zhvillim të dukshëm të së drejtës ndërkombëtare në zonën Adriatiko-Mesdhetare, që realizohej me pjesëmarrjen aktive të republikave qytetare... Skënderbeu, aleat apo vasal i Alfonsit të Napolit?

Aleks Luarasi

Shekulli XV shënoi një zhvillim të dukshëm të së drejtës ndërkombëtare në zonën Adriatiko-Mesdhetare, që realizohej me pjesëmarrjen aktive të republikave qytetare italiane, si Firence, Gjenova, Venediku etj. Shqipëria e Skënderbeut, me njerëzit e saj të kulturës, si diplomatë, oratorë, magjistër etj., hyri në marrëdhënie ndërkombëtare me republikat italiane, si dhe me shtete të tjera. Këto marrëdhënie, në një sërë rastesh, janë përcaktuar me traktate dypalëshe. Ato kanë qenë traktate paqeje, marrëveshje aleance, marrëveshje armëpushimi etj.

Disa nga këto traktate dhe marrëveshje kanë arritur deri në ditët tona dhe dëshmojnë për një teknikë mjaft të zhvilluar në hartimin e dokumenteve të tilla me rëndësi politike dhe juridike të sferës ndërkombëtare. Shteti i Skënderbeut e çoi më tej praktikën e zhvillimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe shteteve të tjera, të filluar me principatat feudale shqiptare të shek. XII-XV

Traktatet hartoheshin me shkrim, në dy kopje dhe përmbanin nënshkrimin e secilës palë. Në ndonjë rast, ato janë lidhur drejtpërdrejt nga Skënderbeu, si Traktati i Paqes me Venedikun i v.1448 ose nëpërmjet ambasadoreve të tij, si Traktati i Gaetes i v.1451.

Njihej dhe praktikohej instituti i ratifikimit të traktatit ndërkombëtar, në ato raste kur ai përfundohej nga përfaqësuesit e palëve. Kështu Traktati i Paqes me Venedikun (1448) është ratifikuar nga Senati i Republikës, kurse traktati i Alfonsit të Napolit me Gjergj Araniti duhej ta ratifikohej prej këtij të fundit brenda tre muajve nga data e përfundimit. Kuptohet se efektet e traktatit fillonin vetëm pas ratifikimit të tij nga kryetari i shtetit.

Një ndër traktatet më të rëndësishme të lidhura nga Skënderbeu ishte Traktati i Gaetës, lidhur midis tij dhe Alfonsit të V-të, Mbret i Napolit, Sicilisë dhe Aragonës së Spanjës në dt. 26 mars 1451.

Në disa studime historike të botuara vitet e fundit është venë në dyshim nëse Gj. K. Skënderbeu ishte aleat apo vasal i Alfonsit të Napolit? Historiani O.J. Schmitt në veprën e tij shumë të diskutueshme (Skënderbeu, Tiranë, 2008) arrin në përfundimin se Heroi ynë Kombëtar ishte thjesht një vasal i Mbretit të Napolit. Madje edhe disa studiues shqiptarë, pa u thelluar shumë për këtë çështje të rëndësishme, heshtin ose pranojnë këtë tezë të gabuar, se Skënderbeu, me këtë traktat, u bë një vasal i Alfonsit të Napolit. Këta janë “mohësit”, sikurse i quan I. Kadareja në veprën e tij “Mosmarrëveshja”.

Për fat të mirë marrëdhëniet ndërmjet Gj.K. Skënderbeut me Alfonsin e Napolit janë përcaktuar me një traktat të shkruar. Ky është një burim tepër i rëndësishëm arkivor, i zbuluar dhe i botuar herët, i njohur gjerësisht nga historiografia jonë dhe e huaj. (Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë, vëll. 2, Tiranë, 1960, fq. 165 ).

Të dhënat që dalin nga një dokument i tillë historik dhe juridik hedhin dritë plotësisht mbi raportet ndërmjet palëve, të drejtat dhe detyrimet e tyre dhe japin përgjigjen e duhur për pyetjen në se Skënderbeu ishte aleat apo vasal i Alfonsit të Napolit. Këto të dhëna duhet të analizohen hollësisht, pastaj të pranohen ose të kundërshtohen me argumente, sikurse ndodh zakonisht në shkencë. Traktatet janë dokumente juridike dhe interpretimi i saktë i tyre është një detyrë sa e juristëve aq dhe e historianëve.

Pas fitores së shkëlqyer që korri populli shqiptar gjatë rrethimit të parë të Krujës nga turqit (1450), gjendja e vendit ishte e vështirë. Ekonomia ishte dëmtuar rënde nga lufta, ushtria kishte nevoja të shumta për armatime dhe furnizime, një pjesë e feudalëve shqiptarë ishin mënjanuar nga lufta dhe nga përkrahja që i jepnin Skënderbeut si kryetar i Lidhjes së Lezhës dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë së saj.

Këto rrethana e shtynë Skënderbeun të kërkonte ndihmën e Alfonsit të Napolit, i cili ishte interesuar për dëbimin e turqve nga Ballkani dhe dobësimin e ndikimit venedikas në zonën e Adriatikut me qëllim që të krijonte për vete një perandori të madhe në Mesdhe, nga Spanja deri në Kostandinopojë.

Traktati midis Skënderbeut dhe Alfonsit të Napolit u nënshkrua në qytetin Gaeta të Italisë afër Napolit më 26 mars 1451. Pala shqiptare përfaqësohej nga peshkopi i Krujës Stefani dhe kleriku Nikolla de Berguci, ambasadorë të Skënderbeut. Alfonsi i Napolit përfaqësohej nga Arnaldo Fonoleda, protonoter i tij. Ky ka hartuar edhe tekstin e traktatit, i cili ka arritur deri në ditët tona nëpërmjet burimeve arkivore.

Traktati i Gaetës është përfunduar në emër të Skënderbeut, si sundimtar i principatës së Kastriotëve, dhe të bujarëve të tjerë farefis ose vasalë të tij. Për këtë arsye ai mban në traktat titullin e thjeshtë “Zot i qytetit të Krujës”. Mbas Skënderbeut edhe bujarë të tjerë shqiptarë, si Gjergj Araniti, Gjin Muzaka, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani, Pal Dukagjini, Muzakë Topia, Simon Zenebisha etj., lidhën traktate të veçanta me Alfonsin e Napolit, duke hyrë në mënyrë të pavarur në marrëdhënie ndërkombëtare. Nga ky sistem traktatesh që lidhi Alfonsi i Napolit me princat shqiptarë njohim vetëm dy: Traktatin e Gaetës me Gj.K.Skënderbeun, si dhe atë me Gjergj Aranitin.

Lidhja e traktateve të veçanta me Alfonsin e Napolit dëshmon se bujarët shqiptarë e ruanin me kujdes pavarësinë e principatave të tyre dhe se Lidhja e Lezhës nuk e kishte krijuar ende atë unitet të nevojshëm për të dalë gjithmonë si subjekt dhe palë më vete në marrëdhëniet ndërkombëtare, sikurse ishte rasti i traktatit të paqes me Venedikun (1448). Sidoqoftë, orientimi i gjithë bujareve të Shqipërisë ndaj aleancës me një shtet të vetëm, si Mbretëria e Napolit tregonte se Lidhja e Lezhës funksiononte të paktën në përcaktimin e drejtimeve të përgjithshme të politikës së jashtme.

Në bazë të Traktatit të Gaetës, Alfonsi i Napolit merrte në mbrojtje Skënderbeun dhe “baronët” e tjerë shqiptarë farefis me të dhe detyrohej të jepte ndihmë ushtarake dhe financiare për vazhdimin e luftës kundër Turqisë. Si shpërblim për këtë ndihmë ai kërkonte dorëzimin simbolik të kështjellës dhe të qytetit të Krujës.

Alfonsi i Napolit merrte përsipër jo vetëm mbrojtjen e Skënderbeut, por edhe çlirimin me forca të përbashkëta të tokave shqiptare të pushtuara nga turqit, si qytete, kështjella, fshatra etj. Cilat ishin këto toka nuk përmenden në Traktatin e Gaetes. Në traktatin që lidhi Alfonsi i Napolit me Gjergj Aranitin disa muaj më vonë përmenden shprehimisht tokat që do të çliroheshin me forca të përbashkëta, si Berati, Myzeqeja, Vlora, Kanina etj., të cilat ishin zotërime të Gjergj Aranitit. Ndërkaq në traktatin me Skënderbeun kjo pikë lihej në heshtje. Për tokat që do të çliroheshin me forca të përbashkëta do të dispononte Alfonsi i Napolit; një pjesë do t’i mbante për vete, kurse pjesën tjetër do t’ia jepte Skënderbeut dhe bujarëve të tij.

Për palën shqiptare detyrimi kryesor ishte, së pari, dorëzimi kështjellës dhe i qytetit të Krujës pas dërgimit të ndihmës ushtarake dhe, së dyti, njohja e Alfonsit si kryezot, kryerja e homazhit dhe pagimi i një tributi të caktuar, pas çlirimit të tokave shqiptare nga turqit.

Përveç këtyre, traktati i Gaetes parashikonte për palët edhe disa detyrime të tjera: Alfonsi i Napolit premtonte se do të respektonte të gjitha privilegjet e qytetit të Krujës dhe të gjithë Shqipërisë, të njohura nga sundimtarët e mëparshëm, veçanërisht privilegjet e bujareve feudalë, etj.

Traktati i Gaetës midis Skënderbeut dhe Alfonsit të Napolit ishte në thelb një traktat aleance për të luftuar me forca të përbashkëta kundër pushtimit turk të Shqipërisë, por nga pikëpamja formalo-juridike ai ishte një traktat vasaliteti me kushte të caktuara dhe të parashikuara shprehimisht. Ai u përfundua midis palëve mbi bazën e koncepteve dhe praktikave të njohura të së drejtës të periudhës së feudalizmit.

Në Traktatin e Gaetës duhen vënë në dukje disa momente me rëndësi nga pikëpamja politike dhe juridike, të cilat provojnë në mënyrë të qartë se Skënderbeu, edhe pas nënshkrimit të tij, mbeti i pavarur në politikën e brendshme dhe të jashtme dhe se marrëdhëniet e vasalitetit nuk u krijuan asnjëherë midis tij dhe Alfonsit të Napolit. Kjo del jo vetëm nga dispozitat e traktatit për të cilin kishte punuar me kujdes diplomacia e Skënderbeut, por edhe nga gjithë praktika e marrëdhënieve midis dy shteteve që provohet mjaft mirë nëpërmjet burimeve arkivore.

Në bazë të traktatit të Gaetës, vasaliteti i pranuar në parim do të realizohej gjatë dy etapave në rast se do të vërtetohej kushti përkatës në secilën prej tyre.

Etapa e parë ishte dorëzimi simbolik i qytetit dhe i kështjellës së Krujës, i cili kushtëzohej nga ndihma ushtarake dhe financiare që do të jepte Alfonsi i Napolit në dobi të Skënderbeut ( “… në qoftë se do të dërgojë njerëz për ndihmë dhe mbrojtje të të sipërthënëve” ). Bazuar në dispozitat e traktatit për fazën e parë Skënderbeu pranoi në Krujë një garnizon ushtarësh katalanë prej rreth 100 vetash dhe mori një ndihmë ushtarake prej 500 ushtaresh, si dhe mjete lufte (artileri), cila u asgjësua në disfatën e Beratit (1455).

Dorëzimi simbolik i qytetit të Krujës nuk shënonte në vetvete krijimin e marrëdhënieve të vasalitetit. Në bazë të traktatit ato do të krijoheshin vetëm në etapën e dytë, kur të vërtetohej kushti tjetër me rëndësi themelore – çlirimi i plotë i Shqipërisë nga turqit; atëherë Skënderbeu do të bënte ceremonialin përkatës (betimin dhe homazhin) si dhe do të fillonte pagimin e tributit.

Nga pikëpamja juridike marrëdhënia e krijuar nga traktati ishte një veprim juridik me kusht. Krijimi i raporteve të vasalitetit dhe njohja e Alfonsit si kryezot do të bëhej vetëm atëherë kur të vërtetohej kushti përkatës: dëbimi i turqve nga Shqipëria.

Nga pikëpamja e formës, në bazë të praktikës ndërkombëtare, krijimi i raporteve të vasalitetit ishte një veprim juridik ad solemnitatem, i cili kërkonte kryerjen e disa ceremonive të caktuara, si betimi dhe homazhet (nderimi). Në të vërtetë, kushti i kërkuar në traktat për etapën e dytë, – çlirimi i plotë i Shqipërisë nga turqit, – nuk u vërtetua, për pasojë nuk u bënë as veprimet formale të kërkuara për këtë qëllim. Pas disfatës së Beratit (1455), Alfonsi i Napolit praktikisht u tërhoq nga Shqipëria. Pak më vonë (1458) ai vdiq dhe marrëdhënia juridike e krijuar (traktati) pushoi së ekzistuari me vdekjen e njërës nga palët.

Si përfundim mund të themi se Shqipëria nuk u mbrojt dhe as u çlirua nga Alfonsi i Napolit; Gj.K.Skënderbeu nuk beri veprimet formale si betimi dhe homazhet (nderimet), të parashikuara për fazën e dytë, prandaj marrëdhëniet e vasalitetit ndërmjet palëve nuk u krijuan asnjëherë. Si para ashtu edhe pas këtij traktati Skënderbeu mbeti sundimtar i pavarur. Ai jo vetëm nuk pagoi asnjë tribut në dobi të Alfonsit të Napolit, por përfitoi deri diku edhe nga ndihma e tij ushtarake dhe politike, sado e pamjaftueshme që ishte ajo.

Pas Alfonsit në Mbretërinë e Napolit erdhi në pushtet i biri i tij, Ferdinandi. Që të kishte fuqi traktati edhe për mbretin e ri, duhej të ishte përsëritur me të njëjtat kushte, gjë që nuk ka ndodhur. Jo vetëm kaq, por trashëgimtari i Alfonsit në Mbretërinë e Napolit ishte në kushte të vështira për vete për shkak të konfliktit me baronët vendas, kështu që nuk kishte asnjë mundësi ta ndihmonte Skënderbeun për çlirimin e Shqipërisë, Lidhja e dikurshme në kohën e Mbretit Alfons shërbeu si një kujtim dhe një bazë për ruajtjen e miqësisë. Përkundrazi, Skënderbeu, me qellim që ta ruante aleancën me Mbretërinë e Napolit në luftën kundër Turqisë, e ndihmoi Ferdinandin gjatë ekspeditës në Itali (1460 – 1461) për të normalizuar gjendjen në vendin e vet dhe e rivendosi në fronin e Napolit.

Deri tani nuk ka asnjë provë historike për vijimin e ndihmës nga Alfonsi i Napolit pas disfatës së Beratit (1455); po kështu nuk ka asnjë provë historike për lidhjen e një traktati të ri (vasaliteti) midis Skënderbeut dhe Ferdinandit të Napolit.

Trashëgimtari i Alfonsit në mbretërinë e Napolit, Ferdinandi mbeti gjithmonë mirënjohës ndaj Skënderbeut për ndihmën e dhënë dhe rivendosjen e tij në fron. Ai i dhuroi Skënderbeut prona tokësore në Italinë e Jugut, si dhe një pension vjetor prej 1200 dukatesh. Pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit të Shqipërisë nga turqit Ferdinandi priti familjen e Skënderbeut me nderime dhe e trajtoi njësoj si fisnikërinë vendase. Shteti i Napolit, sidomos krahina e Puljes, Kalabria dhe Sicilia u bënë strehë për mijëra e mijëra shqiptarë që u detyruan të braktisnin vendin dhe te emigronin jashtë atdheut. Ata ndodhen atje edhe sot dhe ruajnë kujtimet e “motit të madh” të Skënderbeut, si dhe emrin “arbëreshë”’

Marrëdhëniet e Skënderbeut me Mbretërinë e Napolit janë një faqe tjetër e historisë, e cila e ngre lart figurën madhështore të Heroit tonë Kombëtar Gj.K.Skënderbeu dhe kontributin e tij në mbrojtje të Shqipërisë dhe të qytetërimit evropian.