Sonte në teatrin “Dodona” premiera e “Më fol për dashurinë” Sonte në teatrin “Dodona” premiera e “Më fol për dashurinë”
Problemet e një çifti janë elementet e dramës psikologjike që shpalosen në skenë. Në origjinal shfaqja “Parle moi d’amour” e autorit francez Philippe Claudel,... Sonte në teatrin “Dodona” premiera e “Më fol për dashurinë”

Problemet e një çifti janë elementet e dramës psikologjike që shpalosen në skenë. Në origjinal shfaqja “Parle moi d’amour” e autorit francez Philippe Claudel, zë vend në shtëpi.
Por ky tekst nën regji të Kreshnike Osmanit, në Prishtinë vjen pak më ndryshe. “Më fol për dashurinë” zhvendoset në një spital psikiatrik. Ngjarja rrëfehet përmes dy personazheve kryesore, të cilat portretizohen nga Bashkim Alaj dhe Besnike Arifi. Ani pse në tekst personazhet janë një çift i cili ka kaluar të pesëdhjetat, Osmani ka zgjedhur dy aktorë më të rinj. Kjo është shfaqja e saj e parë. Premiera e “Më fol për dashurinë” do të jepet të premten (sonte) në teatrin “Dodona” në kryeqytet dhe është e para premierë për këtë vit në skenën për të rritur të këtij teatri.

“Dodona me këtë shfaqje, si një teatër alternativ e dëshmon veten që edhe më herët si ajo ‘Lojë martese’, i jep hapësirë regjisorëve të rinj. Edhe këtë shfaqje e ka bërë një regjisore e re. Është punuar shumë në të. Ajo i ka dy personazhe. Jam i lumtur që po jepet kjo shfaqje dhe që po u japim hapësirë regjisorëve të rinj”, ka thënë Shala në konferencën për media të enjten. Kreshnike Osmani ka thënë se inskenimi i tekstit të Claudelit të shkruar më 2008, nuk ka qenë punë fort e lehtë.

“Kjo dramë ka dy personazhe që trajtojnë një konflikt bashkëshortor. Ata i kanë kaluar të pesëdhjetat dhe jeta e tyre është një rrëmujë. Unë këtë shfaqje e kam pozicionuar pak më ndryshe duke i vendosur çiftet në një spital psikiatrik, pasi që gjuha e tyre që përdorin më shumë i përshtatet një ambienti të tillë sesa një familjeje të shëndoshë”, ka thënë Osmani. Bashkëpunimi me aktorët, sipas saj, ka qenë shumë i mirë dhe beson se kanë arritur që të finalizojnë me sukses këtë projekt.

Kur Bashkim Alaj kishte marrë për herë të parë në dorë tekstin e shfaqjes dhe kishte kuptuar se ngjarja do të zhvillohet në spital psikiatrik, ai ka thënë se është frikësuar.
“Por gjatë procesit arritëm që ta perfeksionojmë këtë punë dhe mendoj se ka dalë një rezultat i mirë. Besoj se falë punës së palodhshme kemi arritur që të bëjmë diçka. Mendoj se krejt çiftet do të gjejnë diçka tek kjo shfaqje, sepse të gjithëve mund të na ndodhë të kemi mosmarrëveshje. Më pas edhe ideja dhe koncepti i Kreshnikes janë bashkuar mirë”, ka thënë Alaj.

Besnike Arifi ka thënë se roli në këtë shfaqje ka qenë një përvojë e mirë për të e po ashtu edhe puna me regjisoren, e cila është studente në Fakultetin e Arteve.
Ekipit për realizimin e kësaj shfaqjeje i janë bashkuar edhe kostumografja Samka Ferri, e për skenografinë janë përkujdesur Burim Arifi dhe Blendina Xhema, ndërsa për muzikën, Arbër Krasniqi.