Sovraniteti i korrupsionit Sovraniteti i korrupsionit

Sovraniteti i korrupsionit

Opinione 11 May, 2016, 12:44

Nga Andrea Stefani Ndërsa në “Top Story” po përfundonte një debat për reformën në drejtësi, në celularin e moderatorit Sokol Balla mbërriti ky mesazh:... Sovraniteti i korrupsionit

Nga Andrea Stefani

Ndërsa në “Top Story” po përfundonte një debat për reformën në drejtësi, në celularin e moderatorit Sokol Balla mbërriti ky mesazh: Më 1912 Shqipëria fitoi pavarësinë, me reformën në drejtësi, do fitojë sovranitetin! Qytetari që kish dërguar atë mesazh kish rrokur, në mendimin tim, më thelbësisht çështjen e sovranitetit të debatuar aq shumë këto ditë pas iniciativës së ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin, për të marrë pjesë në mbledhjet grupeve parlamentare të PS, PD dhe LSI. Një iniciativë që është kritikuar si një kalim i vijës së kuqe diplomatike apo si cenim i sovranitetit të shtetit. Rezerva kanë shprehur edhe disa anëtarë të grupit parlamentar të PD, Jozefina Topalli, Arben Imami apo Genc Ruli. Edhe vetë Berisha e ka quajtur jo normale një gjë të tillë por, e ka justifikuar me faktin që Shqipëria nuk është shtet normal. Dhe po ta pyesësh këtë politikan, që ka 26 vjet në krye të punëve të shtetit (herë në krye të qeverisë dhe herë në krye të opozitës) se përse është kjo gjendje jo normale e shtetit (?) do të të përgjigjet se fajin e ka “Shullazi”! Por kjo është një temë tjetër, prandaj të kthehemi te sovraniteti që jo pak e shohin të kërcënuar.

 

Aty ku nuk ka drejtësi, nuk ka liri për qytetarët dhe aty ku nuk ka liri, nuk mund të ketë sovranitet. Nëse flasim për sovranitet si vullnet të bashkësisë së qytetarëve pra, si vullnet të popullit apo Demosit, që gjen zbatim në ligjet e miratuara nga Parlamenti apo politikat e zbatuara nga qeveritë, ky sovranitet nuk ekziston akoma në Shqipëri. Për shkak të mungesës së drejtësisë dhe për rrjedhojë, edhe të korruptimit të thellë të strukturave të saj, politika shqiptare nuk para është zbatuese e vullnetit të bashkësisë së qytetarëve apo, si do ta thoshim ndryshe, të sovranit. Korrupsioni dhe pandëshkueshmëria kanë gërmuar një hendek të thellë mes sovranit “popull” dhe përfaqësuesve të tij që ndjekim, më së shumti, gjakimet e tyre të mbrapshta dhe jo interesin publik pra, të sovranit. Ilustrimi është i thjeshtë edhe në rastin që diskutojmë: Rreth 95% e shqiptarëve duan drejtësi të pavarur dhe kjo klasë politike që e ka lënë vendin pa drejtësi, hedh vickla duke u maskuar pas gjoja cenimit të sovranitetit nga Vlahutin apo Lu.

 

Në fakt, ata që e kanë cenuar sovranitetin e shtetit dhe të qytetarëve, janë pikërisht politikanët e korruptuar dhe aspak ambasadorët në fjalë apo ndërkombëtarët në përgjithësi. E vërteta është se edhe në disa shkrime, i kam kritikuar ndërkombëtarët, edhe ambasadorët aktualë, por edhe të mëparshmit, për një qëndrim pasiv ndaj zhvillimeve aspak demokratiko-liberale në Shqipëri. I kemi kritikuar, se të nisur edhe nga interesa më të gjera rajonale, kanë këmbëngulur për ruajtjen e një stabilitetit formal në Shqipëri, qoftë edhe duke sakrifikuar drejtësinë. I kemi kritikuar sepse në momente të caktuara, kanë këshilluar deri edhe mos hetimin dhe gjykimin e një politikani si Berisha, edhe pse që kish kryer një krim të rëndë si puçi i armatosur, vetëm dhe vetëm që të ruhej “stabiliteti” i Shqipërisë.

 

Por një stabilitet i ngritur mbi padrejtësinë, pandëshkueshmërinë dhe korrupsionin, mund të jetë vetëm i kalbur, mafioz dhe herët a vonë, nuk mund të mos shpjerë përsëri në destabilitet. Dhe tani që ndërkombëtarët, ambasada e SHBA dhe përfaqësia e BE, e kanë drejtuar vëmendjen pikërisht te thembra e Akilit e shtetit shqiptar, reforma në drejtësi, fajtorët kryesorë për gjendjen e kriminalizuar të shtetit, ankohen se po cenohet “sovraniteti”! Nuk kanë faj, sepse po cënohet sovraniteti i tyre si pandëshkueshmëri, sovranitet për të abuzuar si t’ua dojë mideja me postet publike, pa patur frikë se do të ndëshkohen nga një drejtësi që prandaj e kanë varrosur që në pelena.

 

E kundërta e këtyre qarjeve për cenimin e “sovranitetit” është e vërtetë. Iniciativa euro-amerikane për reformën në drejtësi, synon pikërisht themelimin e sovranitetit të munguar. Në këtë rast ai që cënohet është vetëm “sovraniteti” fals i një klase të korruptuar politike që i ka braktisur me kohë interesat publike dhe nuk i përfaqëson më ato. Rëndom, maska e fundit e sharlatanëve dhe maskarenjve të politikës ka qenë nacionalizmi por këtë herë, ata kanë zgjedhur “sovranitetin”. Dhe nuk është se nuk e dinë që sovraniteti, për një vend si Shqipëria që kërkon të integrohet në BE, ka një kuptim dhe përmbajtje krejt tjetër, për shembull, nga sovraniteti i kuq dhe izolacionist i kohës së diktaturës enveriste, kur pak rëndësi kish nëse shqiptarët ishin apo jo të lirë. Mjafton që asnjë i huaj të mos ndërhynte në punët e shtetit dhe sovraniteti quhej i garantuar. Pak rëndësi kish nëse sovrani “popull” pushkatohej, burgosej, internohej, varfërohej. Me të tillë koncepte të kalbura për sovranitetin, NATO-ja nuk duhet të ndërhynte në Kosovë sepse dhunohej sovraniteti i shtetit diktatorial të Milosheviçit. Por në të vërtetë, ajo qe një ndërhyrje vendimtare për themelimin e sovranitetit të Kosovës.

 

Politikanët e korruptuar shqiptarë qahen për cenimin e “sovranitetit” nga të huajt kur realisht “të huajt” janë ata vetë, dhunuesit e vërtetë të sovranitetit janë ata. Janë ata që kanë grabitur sovranitetin duke u pasuruar korruptivisht në kurriz të sovranit real, publikut, që varfërohet. Në kushtet kur Shqipëria synon të integrohet në BE, kërcënimi i sovranitetit nuk i vjen shtetit nga jashtë, nga partnerët e vet strategjikë por nga brenda, nga korruptimi i klasës politike, i Parlamentit, i qeverive. Sovraniteti rrënohet nga degradimi i marrëdhënies së qeverive me bashkësinë e qytetarëve pra, me atë që duhet të jetë sovrani real. Por që nuk mund të jetë i tillë për sa kohë që nuk ekziston një pushtet drejtësie i lirë të ndëshkojë këdo që abuzon me besimin dhe postet publike. Prandaj të huaj, për interesat e vërteta të publikut shqiptar, nuk mund të jenë ata ndërkombëtarë që po përpiqen me ndërhyrjet e tyre, më në fund të vendosura, të themelojnë drejtësinë e pavarur mbi të cilën do të ngrihet, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, sovraniteti publik./gazetadita.al/