Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e llogarive qeveritare në Kosovë për vitin që shkoi, ku paraqitet pasqyra e të hyrave...

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e llogarive qeveritare në Kosovë për vitin që shkoi, ku paraqitet pasqyra e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.

Sipas ASK-së, të hyrat e Qeverisë së përgjithshme në vitin 2015 ishin 1,706.1 milionë euro, ku krahasuar me të hyrat e vitit të kaluar ka pasur një rritje prej 26.4% të të hyrave.

“Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 65% të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave. Ndërkaq, totali i shpenzimeve të Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2015 ishte 1,612.3 milionë euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë pagat dhe mëditjet me pjesëmarrje prej 31%; formimi i bruto kapitalit fiks, me pjesëmarrje prej 24%; kontributet sociale dhe përfitimet, me pjesëmarrje prej 19%; dhe konsumi i ndërmjetëm, me pjesëmarrje prej 14%. Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në struktura të tjera të shpenzimeve”, thuhet në komunikatën e ASK-së.