Të reshurat shkaktojnë 8 milionë euro dëme kulturave bujqësore në Kosovë Të reshurat shkaktojnë 8 milionë euro dëme kulturave bujqësore në Kosovë
Gjatë vitit që lamë pas shumë kultura bujqësore nëpër komuna të Kosovës u dëmtuan si pasojë e shiut dhe breshërit. Edhe fushata e korrje-shirjeve... Të reshurat shkaktojnë 8 milionë euro dëme kulturave bujqësore në Kosovë

Gjatë vitit që lamë pas shumë kultura bujqësore nëpër komuna të Kosovës u dëmtuan si pasojë e shiut dhe breshërit.

Edhe fushata e korrje-shirjeve filloi me vonesë për shkak të motit jo të mirë dhe reshjeve të shiut të cilat dëmtuan në masë të madhe rendimentet e grurit.

Vlera e dëmeve të shkaktuara në bujqësi bazuar në dhënat e komunave është rreth 8 milionë e 381 mijë e 476 euro e 91 cent (rreth 8.381.476 ,91).

Në një përgjigje nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për Indeksonline kanë bërë të ditur se cilat komuna kanë pësuar më së shumti dëme.

“Vlera e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore në bujqësi, bazuar në të dhënat e mbledhura nga komunat është rreth 8.381.476 ,91 euro, ndërkaq komunat me më së shumti dëme kanë qenë: Rahoveci, Peja, Gjakova, Lipjani, Gjilani, Suhareka, Mamusha, etj”, thuhet në përgjigjën e MBPZHR-së.

Mirëpo, për kompensimin e këtyre dëmeve, MBPZHR në vitin 2018 nuk ka pasur buxhet të veçantë.

“MBPZHR në vitin 2018 nuk ka poseduar buxhet të veçantë për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, por për këtë vitin e kaluar ishte nxjerrë një Vendim i Qeverisë Nr.01/58, datë: 24.07.2018 për kompensimin e menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen e tyre.

Indeksonline ka kontaktuar me Ministrinë e Financave për të kuptuar nëse janë kompensuar kjo shumë e dëmeve ashtu siç janë të parapara me vendimin e Qeverisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Financave Muharrem Shahini ka bërë të ditur se gjatë vitit 2018 Qeveria ka kompensuar vetëm komunën e Mamushë dhe Suharekës.

E vlera e kompensimit të këtyre dyjave në total është 1 milionë e 400 mijë euro.

“Lidhur me kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, gjatë vitit 2018, nga Qeveria e Republikës së Kosovës janë ndihmuar Komuna e Mamushës dhe Komuna e Suharekës, në shumë prej 1.4 milionë euro, Komuna e Mamushës në shumën 400,000 euro si dhe Komuna e Suharekës në shumën një (1) milion euro”, thuhet në përgjigjen e Shahinit. Prej mbi 8 milionë eurove dëme, pra vetëm 1.4 milionë euro janë kompensuar.

Ai ka njoftuar se për këtë vit janë planifikuar 4.5 milionë euro për adresimin e situatave të paparashikueshme.

“Për vitin 2019 në kuadër të shpenzimeve të paparashikuara kategoria e shpenzimeve e Rezervës janë planifikuar 4.8 milionë euro. Këto mjete sipas neni 29 te Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë mund të shfrytëzohen nga Qeveria e Kosovës për adresimin e situatave të paparashikueshme siç mund të jenë fatkeqësitë natyrore ose ngjashëm”, ka thënë ndër të tjerash Shahini.

Nga MBPZH kanë treguar se të gjithë fermerët, të cilët pësojnë dëme në sektorin e bujqësisë nga faktorë të ndryshëm natyror, duhet që këtë dëm t’a paraqesin në komunën përkatëse.

Pas kësaj, komunat mbledhin/grumbullojnë të dhëna dhe i paraqesin në formë raporti përmbledhës për dëmin total të komunës përkatëse dhe i dërgojnë në MBPZHR.

Në kuadër të MBPZHR-së është një komision i formuar me vendim të Sekretari të Përgjithshëm, prej 3 anëtarësh, i cili bën përmbledhjen e këtyre të dhënave në nivel vendi dhe nxjerrin shumën totale të këtyre dëmeve.

Pasi MBPZHR-ja nuk ka linjë të veçantë për kompensimin e dëmeve ndaj bujqve dhe nuk mund të kompensoj fermerët, përmes një raporti me të dhëna të përgjithshme i drejtohen Zyrës së Kryeministrit nga ku edhe presim që me vendim të Kryeministrit këto dëme të kompensohen”./Indeksonline/