Transformimi i FSK-së në Ushtri vazhdon, me gjithë vërejtjen e NATO-s Transformimi i FSK-së në Ushtri vazhdon, me gjithë vërejtjen e NATO-s
Projektligjet, të cilat i hapin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, do të votohen më 14 dhjetor në Kuvendin... Transformimi i FSK-së në Ushtri vazhdon, me gjithë vërejtjen e NATO-s

Projektligjet, të cilat i hapin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, do të votohen më 14 dhjetor në Kuvendin e Kosovës, ka konfirmuar të enjten kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Këto komente, Haradinaj i ka bërë në seancën e Kuvendit të Kosovës duke vlerësuar se “ligjet dhe ushtria do të kalojnë në mënyrë të dinjitetshme dhe Kosova do të ecë në rrugën e saj”.

“Nuk kemi arritur që çdo qeverie anëtare të NATO-s, t’ua shpjegojmë të vërtetën e transformimit të FSK-së. Por, ne i kemi plotësuar ato kushte bazike të sqarimeve për të ecur përpara me ushtrinë tonë, pra i kemi plotësuar. Me këtë, jo vetëm që nuk do të vihet në rrezik e ardhmja jonë me NATO-n, por përkundrazi. Ne, nga ata që absorbojmë siguri, në të ardhmen do të ofrojmë siguri”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, transformimi i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s.

Komentet e Haradinajt pasojnë deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili e paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”. /Evropa e Lirë