Trashëgimia presidente Trashëgimia presidente

Trashëgimia presidente

Opinione 14 April, 2016, 13:21

Engjëllushe Morina Impulsi atavist ma thotë që ta filloj këtë shkrim me “e mbaroi mandatin pesëvjeçar dhe nuk mësoi as të flasë dhe as... Trashëgimia presidente

Engjëllushe Morina

Impulsi atavist ma thotë që ta filloj këtë shkrim me “e mbaroi mandatin pesëvjeçar dhe nuk mësoi as të flasë dhe as të ulet si grua-shteti”. Duke qenë që jam shqiptare (më saktësisht gjakovare) me “shpirtin në fyt” dhe gjakun e nxehtë, impulsi shpesh del i pari në listën e reagimeve. Mirëpo, tani që po thith ajër të Evropës veriore, mendja racionale ngadhënjen karshi impulsit.

Presidentja (tanimë ish) Jahjaga nuk do të shquhet për kush e di se çfarë trashëgimie politike. Ajo do të njihet për “e dalë nga zarfi apo Zarifete”, për mungesë shprehjesh, sintaksë të shkapërderdhur dhe onomatope të cunguar, për persona inkognito, për njëanshmëri politike, për mungesë iniciativash, për pasiguri politike, për mungesë lidershipi organik dhe të tjera e të tjera të këtij lloji. Ajo po ashtu do të njihet si grua e mirë, person i këndshëm, dhe si presidentja e parë grua në Ballkan (disa kishin prirje ta quanin edhe si presidentja e parë femër në një vend mysliman – gjë që nuk i shkon shumë për shtati as asaj e as Kosovës).

Përvoja ime personale e konfirmon që presidente Jahjaga lë përshtypjen e një gruaje të mirë dhe të këndshme. E kisha takuar në ditët e para të mandatit të saj, kur më ishte ofruar pozita e këshilltares për Politikë të Jashtme dhe Siguri në kabinetin e saj. E kisha konsideruar me seriozitet këtë ofertë (të rrallë por edhe të çuditshme), kisha shkuar edhe të bisedoj me të për disa shqetësime të mijat vis-a-vis pozitë dhe kontekstit më të gjerë. Ajo më la përshtypjen e një njeriu të afërt dhe të këndshëm, si dikush që nuk harron të pyesë “si e ke familjen” edhe pse nuk i njeh.

Ajo po ashtu më la përshtypjen që kishte hyrë “në gojë të ujkut” pa e kuptuar qartë se çfarë po ngjet rreth saj – ose ndoshta e dinte shumë mirë se ku kishte hyrë dhe qëndrimi injorant ishte vetëm blof. Unë kisha konflikte etike dhe fundamentale me ofertën e punës: pikë së pari oferta nuk më kishte ardhur nga presidentja, por kishte ardhur nga njëra linjë raportuese e saj (lexo: Ambasadori i atëhershëm Amerikan i cili krenohej para meje se ‘kishte zgjedhur një grua nga Gjakova për Presidente të Kosovës’, edhe pse unë nuk isha në dijeni që në Gjakovë ka familje me të njëjtin mbiemër si presidentja), dhe së dyti, konteksti në të cilin ishte zgjedhur Jahjaga kishte thyer rregullat bazë demokratike të cilat Kosova nuk kishte hesap t’i kapërdinte duke qenë se sa kishim filluar me hapa të vegjël demokratikë shtetbërjen – zgjedhja e këtij lloji të presidentes e rrënoi sensin e çfarëdo shansi për demokraci të mirëfilltë.

Përshtypja u krijua që në Kosovë shkon çkado, mu si në ato shitoret e lira kineze ku gjithçka kushton një euro. Ia komunikova verbalisht brengat e mia presidentes gjatë këtij takimi dhe i shpjegova që e kisha të vështirë të bëhem pjesë e një sistemi jotransparent dhe etikisht të njollosur dhe joparimor, për më tepër, i thashë që e kisha të vështirë të bëhem pjesë e një kabineti ku nuk do të dihej se nga kush do t’i merrnim “urdhrat” të hënën (nga PDK, SHIK apo nga ambasadat e huaja) apo nga kush do t’i marrim të martën (nga PDK, SHIK apo nga ambasadat e huaja) dhe nga kush do t’i marrim të mërkurën (nga PDK, SHIK apo nga ambasadat e huaja). I thashë që më vinte keq që nuk mund ta pranoj punën në këso rrethanash sepse nuk do të isha ushtare e mirë shahu dhe nuk do të isha produktive siç do të më kërkohej. Ajo qëndroi e qetë dhe nuk u hap shumë në temë. Të njëjtat ia komunikova edhe me shkrim disa ditë më vonë. Përgjigje nuk mora asnjëherë, krejt çka mora si formë persekutimi ishte bllokim total dhe largim nga çfardo liste e ngjarjeve të organizuara nga kabineti i presidentes – kjo mund të ketë qenë edhe si pasojë e disave nga stafi i saj mendjengushtë.

Impulsi prapë me troket ashpër ne gjoks (aty ku fle shpirti) dhe ma do që nuk duhet ta fyej dhe ta kritikoj një anëtare të gjinisë time dhe një grua të mirë. Mirëpo, unë pikërisht pse jam grua (njësoj si presidentja) dhe se e kam për obligim dhe përgjegjësi të flas dhe të veproj për një të mirë më të gjerë për neve shqiptarët, mora mundin e këtij shkrimi. Historia e shkruar mirë dhe me profesionalizëm nuk do të ketë shumë fjalë të bujshme të shkruajë për presidenten Jahjaga. Ajo me vetëdije të plotë pranoi të bëhet pjesë e një sistemi të padrejtë i cili po instalohej me shpejtësinë e zërit në Kosovë. Ky sistem i padrejtë politik, shoqëror dhe kulturor ndikon dhe do të ndikojë për një kohë të gjatë në jetët e qindra mijëra qytetarëve të këtij vendi të brishtë. Ky sistem i padrejtë i mban “të gjallë vetëm” ata të paskrupulltë dhe mendjengushtët që veprojnë për një grup të caktuar interesi. Jahjaga në mënyrën e saj u bë element kyç përkrahjeje e këtij sistemi i cili për çdo ditë e shtyp të varfrin dhe të pafuqishmin dhe vazhdon t’i injorojë grupet e margjinalizuara, sidomos gratë dhe të rinjtë. Më tepër se gjysma e popullatës së Kosovës janë gra dhe vajza dhe më tepër se 70 për qind të popullatës janë ndër moshën 25-vjeçare.

Çka bëri presidentja për përmirësimin e gjendjes së grave dhe vajzave të Kosovës? Çka bëri ajo që të ndikojë në ndërrimin e këtij sistemi të padrejtë, i cili nuk ju ofron ndihmë të nevojshme shoqërore, institucionale, financiare apo edhe kulturore grave kryefamiljare (si pasojë e luftës së fundit), grave viktima të dhunës seksuale, vajzave të zonave rurale që nuk kanë mundësi transporti që të vazhdojnë shkollën e mesme (përvoja profesionale e imja në disa fshatra të thella të komunës së Rahovecit dhe Dragashit, ku për shkak të mungesës së transportit prej fshatit deri te shkolla e mesme më e afërt, shumë prindër nga frika e netëve të gjata dimërore nuk i lëshojnë vajzat e tyre të vazhdojnë shkollimin e mesëm, e mos të flasim për shkollim më të lartë). Presidentja Jahjaga po që u takua me disa gra të Krushës, ajo po ashtu përkrahu gratë e mbijetuara të dhunës seksuale me një kampanjë të varjes së fustaneve në stadiumin e Prishtinës (ku edhe ra pre e normave gjinore që gratë veshin vetëm funde dhe fustane), dhe në fund të mandatit i dekorojnë disa gra (në mesin e tyre edhe këngëtarë të estradës) për punën e tyre të palodhshme në avancimin e të drejtave të grave. Ti do të thoshe “po kjo paska bërë mjaft!” Unë po them që kjo nuk bëri asgjë sepse grave të Krushës nuk iu duhet vizita e institucioneve sa për sy e faqe, atyre iu duhet përkrahje financiare dhe shoqërore, zgjidhje për çështjet pronësore, iu duhet t’iu ofrojë dikush qasje të barabartë në sistem të drejtë arsimor ku fëmijët e tyre, sidomos vajzat, do të kishin mundësi për zgjedhje të barabarta dhe shkollim të barabartë.

Grave viktima të dhunës seksuale nuk iu duhet varja e fustaneve diku në publik, atyre u duhet përkrahje shoqërore, kulturore dhe institucionale për tejkalimin e situatës tejet të vështirë në të cilën gjenden, vajzave të Zatriqit dhe të Leshtanit iu duhet transport i organizuar që të vazhdojnë shkollimin e mesëm dhe pastaj të kenë opsione për shkollim të mëtutjeshëm ose vend të punës. Jahjaga nuk bëri asgjë për çështjen e feminizmit në Kosovë dhe asgjë për shtyrjen e barazisë gjinore në një sistem të padrejtë social dhe patriarkal. Dhe të gjithë ata që e përkrahën presidenten e përkrahën tërthorazi këtë sistem të padrejtë politik, social dhe shoqëror që mbretëron në Kosovë. Derisa ky sistem të jetë në jetë nuk do të ketë as feminizëm politik të avancuar dhe as barazi gjinore të dëshiruar. Sistemin mund ta ndryshojmë vetëm ne duke mos e përkrahur pikësëpari.

Por, në një kontekst më të gjerë, a kishte Kosova ndonjëherë në historinë e saj të njomë presidentë apo presidente më të mirë? Unë them jo, dhe vështirë që do të ketë në një të ardhme të afërt!