Qindra qytetarë janë mbledhur sot në Izbicë të Skënderajt për të përkujtuar 150 persona të rënë në masakrën e Izbicës, 17 vjet më parë....

Qindra qytetarë janë mbledhur sot në Izbicë të Skënderajt për të përkujtuar 150 persona të rënë në masakrën e Izbicës, 17 vjet më parë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili po merr pjesë në këtë ceremoni përkujtimore tha se institucionet e Kosovës nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për ata që kanë kryer krimet.

“Nuk do të jemi hakmarrës, por nuk do të ndalim së kërkuari drejtësi për ata që kanë kryer ato krime. Si institucione do të punojmë çdo ditë në mënyrë që të zhvillojmë shtetin”, tha kryetari i Kuvendit, transmeton kp .

Nga fshati Izbicë, Veseli ka bërë thirrje që të tejkalohen sfidat dhe mosmarrëveshjet sepse ende ka shqiptarë që janë vrarë në luftë dhe trupat e tyre nuk dihet ku janë.

Ndërsa kryetari i Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së ka ftuar të gjithë ata që tentojnë ta njollosin luftën, të rreshtohen me krah tyre për ta realizuar amanetin e madh që ka dalë nga lufta e UÇK- së.

Ndërsa Bajram Qerkini nga shoqatat e familjarëve të të zhdukurve ka porositur përfaqësuesit e institucioneve që të mos harrojnë 1658 të pagjeturit. “Ne nuk do të pajtohemi deri në kthimin e personit të fundit nga Serbia”, ka thënë Qerkini.