Viktimave po u mohohet drejtësia Viktimave po u mohohet drejtësia
Nga Ed Vulliamy Ishte e pamundshme të mos mendoja për takimin e parë me Radovan Karaxhiqin në shkallët e selisë së tij në «kryeqytetin»... Viktimave po u mohohet drejtësia

Ed Vulliamy, Guardian Reporter and writer at The Edinburgh International Book Festival 2011. Since the beginning of 2010, over a thousand lives have been lost along the border of America and Mexico as terror reigns with a devastating drugs war raging on a daily basis. In Amexica, Guardian reporter Ed Vulliamy takes a road trip along this violent strip detailing the decapitations, police corruption, kidnapping and torture which is rife in towns such as Ciudad Ju‡rez. This book is a cry for help and a statement of hope amid the ongoing horror. Credit Geraint Lewis

Nga Ed Vulliamy

Ishte e pamundshme të mos mendoja për takimin e parë me Radovan Karaxhiqin në shkallët e selisë së tij në «kryeqytetin» e serbëve të Bosnjës, Pale, që ndodhej jashtë rrethinës dhe mbi kryeqytetin e vërtetë, Sarajevë, e të cilën po e bombardonin trupat nën urdhrat e tij në kuadër të çmendurisë vrastare që zgjati tri vite.

Nuk ta shtrëngonte dorën fort, e që për habi nuk përkonte me karakterin e një burri që javën e kaluar Haga e shpalli përgjegjës për urdhërimin e kërdisë më të madhe në Evropë që nga Holokausti,  duke përmendur në mënyrë specifike masakrën e Srebrenicës më 1995. Ai u shpall fajtor për gjenocid të planifikuar, që është krimi «më i lartë» – më i tmerrshmi – për të cilin mund të shqiptojë dënim ndonjë gjykatë.

Atëherë po shoqërohesha me një ekip të ITN-së dhe kishim arritur për takim me Karaxhiqin për t’i kërkuar llogari për premtimin se do të na lejonte të vizitonim ato që të dëbuarit e dëshpëruar nga Bosnja verilindore i quanin gulage të kampeve të përqendrimit.

Ai kishte njëfarë shprehie që t’i ngulte sytë përpara se shikimin ta hidhte në gjysmëlargësi përtej shpatullave tuaja drejt qytetit të shtrirë poshtë: dikur mishërim i gjithçkaje ndaj së cilës ai ishte ziliqar, dhe tani ishte rrethuar prej lojës së artilerisë dhe urrejtjes së drejtuar prej tij.

Drekuam, por nuk folëm për kampet, ose rrethimin e Sarajevës. Karaxhiqi fliste për poezinë epike serbe, për shekujt e vuajtjeve të serbëve në duart e turqve, dhe shpjegoi se çka ishte gusla – instrument muzikor me vetëm një tel. Do të ishte tragjikomike po të mos ishte kaq tmerruese.

Në fund Karaxhiqi garantoi qasje në kampe, madje duke na dhuruar një eskortë, roli i së cilës ishte që të kufizonte ato çfarë pamë në kampin e parë, Omarska, deri në mundësinë minimale: burra, disa me trupat skelet: të shpërndarë prapa rrethojave në një kantinë derisa po ushqeheshin me supë krejt ujë, që nuk u hidhet as qenve. Pastaj eskortat më treguan pikën e kontrollin me ushtarë të armatosur deri në dhëmbë kur kërkuam të hynim në një hyrje të errët prej ku po dilnin ata – e morëm vesh se brenda ishte një fabrikë që ishte shndërruar në fabrikë të vrasjeve, troturave dhe gjymtimit. Matanë kantinës, po mbaheshin gratë që po përdhunoheshin në mënyrë sistematike.

Ne shkuam edhe në një tjetër kamp, Trnopolje, për të cilën disa njerëz, si Fikret Aliç, që ishte bërë pjesë e pikturës së famshme prapa rrethojës gjembore, ishin sjellë atë ditë prej një tjetër kampi, Keraterm, ku civilët myslimanë dhe kroatë ishin deportuar me dhunë, shumë prej tyre duke u rrahur e përdhunuar.

Sa shumë kohë kishte kaluar prej asaj dreke në Pale. Kishin kaluar edhe tri vite në Bosnjë: perëndimi që reagonte vetëm verbalisht, vazhdonte në rastin më të mirë të shprehte pakënaqësi e në rastin më të keq ta trimërone Karaxhiqin që po kryente masakra, derisa nuk ndodhi edhe masakra e Srebrenicës. Deri atëherë dora e Karaxhiqit po shtrëngohej prej diplomatëve e politikanëve tanë.

Më 2008, shkova ta kërkoja Karaxhiqin, që atëherë po kërkohej për gjykim. Mikesha ime, Nerma Jelaçiq dhe unë u dëbuam prej malit ku po strehohej ai në Celebiç. Ishte një burrë që nuk na la rehat derisa nuk morëm rrugën e të ktheheshim teposhtë drejt qytezës.

Kur Perëndimi dhe Serbia u morëm vesh për dërgimin e Karaxhiqit në Hagë, më kërkuan që të dëshmoja kundër tij, dhe nuk u mendova dy herë – isha edhe pjesë e një «interviste» para dëshmisë në zyrat e qendrës së burgosjes së tribunalit. U hoq njëfarë perde e bardhë, dhe ja ku ishte ai jo më larg se katër-pesë hapa, duke shikuar në mënyrë bizare. Po shtronte pyetje për udhëtimin tonë në Omarska. Në gjykatore mbronte veten dhe unë po mundohesha të ruaja qetësinë derisa po më akuzonte se kisha fabrikuar raportet e mia për Omarskën, ku ai ngulmonte se «vetëm një person ishte vrarë».

Tani gjithçka ka marrë fund, përveç ankesave të pashmangshme. Këshilltarja për drejtësi ndërkombëtare e «Human Rights Watch», Param-Preet Singh, ka lavdëruar verdiktin: «Viktimat dhe familjet e tyre kanë pritur për më shumë se dy dekada që Karaxhiqi të japë llogari», ka deklaruar ajo. «Verdikti i Karaxhiqit përçon sinjalin e qartë se ata që kryejnë krime thjesht nuk mund t’i shpëtojnë drejtësisë».

Nuk e ndaj këtë mendim triumfalist, dhe kështu mendoj vetëm për shkak të të mbijetuarve të dhunës së Karaxhiqit.

Lajmin e mora vesh nëpërmjet telefonit derisa po drekoja në Dublin pasi më thirri mikesha Victoria-Amina Dautoviq, që ishte foshnja e parë e lindur në mesin e refugjatëve boshnjakë në Mbretërinë e Bashkuar, lindur në dhjetor të vitit 1992. Ajo ishte në mitër kur nëna e saj ishte peng në Trnopolje: babai i mbijetoi në Omarska.

Dautoviq, që është në Luton, ishte rrugës për të hyrë në testin final në shkencën e forenzikës. Ajo ka nisur të merret me këtë shkencë vetëm që të kthehet në zonën e fshatit të lindjes së prindërve, Kozarac, dhe t’i bashkohet përpjekjes për kërkimin e eshtrave të gjyshërve të saj dhe të miqve të prindërve të saj. Ajo ishte dëshpëruar bash kur më së shumti i duhej përqëndrim: «Nuk është shpallur fajtor për gjenocid».

Ajo nuk po i referohej Srebrenicës, por të gjitha vendeve të tjera ku Karaxhiqi ka kryer masakra e për to nuk është shpallur fajtor. Unë dhe Dautoviqi kemi folur edhe tri herë të tjera atë ditë dhe asnjëri prej nesh nuk gjenim ndonjë fije shprese që të gjenim pak qetësi. «Mendoj se asnjëri prej nesh s’kemi arsye për festë», theksoi ajo. «Vetëm njerëzit e tjerë» – e kishte fjalën për ballinat e gazetave, avokatët dhe analistët.

Në rregull, nëse Karaxhiqi do të lirohej, do të ishte e tmerrshme, por kjo falë Zotit nuk ndodhi. Po, në Srebrenicë u krye gjenocid, por e dimë se kështu ka ndodhur edhe në vendet e tjera. Por në verdikt bëhet e qartë se ajo që kishte ndodhur në kampet e qytezës dhe rrethinës së Dautoviqit – ku ishin djegur edhe gurët e varreve – nuk ishte gjenocid. Ajo për të cilën bota mbarë nuk ka dëgjuar se kishte ndodhur gjatë atyre tri viteve të luftës nuk ishte gjenocid.

Nuk ishte gjenocid çfarë ndodhi në Vishegrad, në brigjet e lumit Drina, ku mijëra civilë ishin masakruar në urë, të mbylluar me dry nëpër shtëpi e të djegur për së gjalli, ose të mbajtur peng për përdhunim. Nuk ishte gjenocid çfarë kishte ndodhur në qytezën e Foçës, ku ishin vrarë e masakruar të gjithë myslimanët, e ku gjithashtu në kamp ishin përdhunuar gratë boshnjake. Nuk ishte gjenocid djegja e qytezave të Vllasenicës, Bijeljinës, Kljuçit, Sanskit Mostit, Brçkos – do të mund të vazhdoja ende. Nuk ishte gjenocid rrafshimi me tokë i xhamive, bibliotekave, monumenteve kulturore e fetare anembanë Bosnjës. Kjo nuk duhet të merret si mosmirënjohje ndaj verdiktit, por shpreh shqetësimin e ngritur për mijëra viktima të këij shkatërrimi.

Dhe derisa ballinat e gazetave shkruanin se drejtësia ishte çuar në vend, në eshtrat në tërë trupin më përshkonte jehona e zërit të Dautoviqit, që zakonisht është plot jetë e shpresë. Kaloi kohë e gjatë. Është shumë vonë. Shumë avokatë kanë fituar shumë para të majme. Pikëpamja e Singhut injoron faktin se presidenti Assad i Sirisë, ISIS-i dhe të tjerë nuk kanë frikë se çfarë i pret prej drejtësisë», dhe kjo nënkupton edhe krimet e kryera në vende si Kongoja, Kolumbia ose Peruja nuk janë as në radarin e drejtësisë ndërkombëtare, apo edhe krerët e luftës në Irak, apo sipërmarrësit e krimeve të tmerrshme, që do të mendojnë se janë të fuqishëm dhe imunë.

Nuk duhet harruar edhe këtë: farsa brutale e arrestimit prej policit të tribunalit të Kombeve të Bashkuara e një kolege – që kishte ardhur të dëgjonte verdiktin e Karaxhiqit. Florence Hartmann ishte korrespondente e «Le Monde» gjatë kohës së luftës, dhe pastaj kishte shërbyer me besnikëri si zëdhënëse e zyrës së prokurorisë së tribunalit të Hagës. Por ajo është dënuar në mënyrë absurde në librin e saj më 2007 se tribunali ia kishte privuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë qasjen në dokumente kryesore të lidhura me masakrën e Srebrenicës. Në mbrëmjen e së martës mora një thirrje telefonike prej Hartmannit brenda qelisë, që më kërkonte t’i gjeja një avokat. Meqë kam bashkëpunuar për më shumë se njëzetë vite me tribunalin, habitem: për çfarë pune është krijuar ky institucion alamet i kushtueshëm? Të gjykojë kriminelët apo të përndjekë kolegët tonë që thonë të vërtetën? Kjo vetëm sa iu shtua hidhërimit të kësaj dite të keqe, megjithëse prej largësisë dukej si ditë gëzimi.

E mbi të gjitha duhet thënë se nuk është «çuar drejtësia në vend», qysh ngulmon Singh. Kjo është fjalë e madhe, që nënkupton se kriminelët ndëshkohen me dënimin e merituar, dhe se historia tregohet e drejtë me të mbijetuarit dhe të vrarët, qysh ndodhi me hebrenjtë pas Shoah.

Nuk do të vihet drejtësia ndonjëherë në vend në Bosnjë, ose për qindra mija viktimat e shpërndara gjithandej diasporës boshnjake, sikur se të njjëtën gjë nuk mund ta bëjë as dënimi i Karaxhiqit./ The Guardian/