Vlashent Sata synon ta sjellë “Za Fest”-in në Kosovë dhe Maqedoni Vlashent Sata synon ta sjellë “Za Fest”-in në Kosovë dhe Maqedoni
Festivali që i kushtohet trashëgimisë së Alpeve Shqiptare, “Za Fest”, në një të ardhme të afërt mund të mbahet në Kosovë, madje edhe në... Vlashent Sata synon ta sjellë “Za Fest”-in në Kosovë dhe Maqedoni

Festivali që i kushtohet trashëgimisë së Alpeve Shqiptare, “Za Fest”, në një të ardhme të afërt mund të mbahet në Kosovë, madje edhe në Maqedoninë e Veriut.

Kështu ka bërë të ditur për albinfo.ch organizatori i këtij festivali, këngëtari Vlashent Sata, synimi i të cilit është ta kthejë “Za Fest-in” në një festival lëvizës. Këtë dëshirë ai tashmë e ka shprehur te një nga donatorët (Delegacioni i Bashkimit Europian) dhe si lokacion e ka menduar edhe Gërminë.

“Më pyetën se çka ke dëshirë. U thashë që dëshira ime është të shkoj kudo që ka shqiptarë, të jetë festivali lëvizës, pra jo vetëm në Theth e veri të Shqipërisë, por të shkojmë në jug të Shqipërisë, në Kosovë sidomos, dhe Maqedoni”, ka thënë Sata. “Dëshira ime ishte të shkojmë në Prishtinë, dhe në Shkup gjithashtu, sepse Maqedonia e Veriut për shembull nuk ka shumë aktivitete kulturore sa i përket kulturës shqiptare”.

Përtej muzikës, Vlashenti synon ta sjellë “Za Fest-in” si një kauzë që i bashkon njerëzit, në këtë rast, në mbrojtje të natyrës, shkruan albinfo.ch. Dhe, ai do që secili ta ndiejë festivalin si pjesë të vetes.

“Dëshira ime është që të mund të jem sa më i pranishëm te publiku shqiptar, dhe nëpërmjet një muzike cilësore që ata i përfaqëson, të mund të ndihen sa më mirë dhe krenarë, dhe secili të angazhohet në profilet e veta”, tha Sata.

Ndryshe, gjatë datave 2,3 dhe 4 gusht u mbajt edicioni i tretë i “Za Fest”, që sipas organizatorëve mblodhi më shumë njerëz dhe ishte më mirë i organizuar. Elina Duni, Arben Bajraktari si dhe artistë të tjerë shqiptarë e ndërkombëtarë, mblodhën mbi 2000 njerëz në Theth.

“Vitin e parë kanë qenë mbi 1000 veta, vitin e dytë rreth 1500 persona, kurse këtë vit flitet se kanë qenë mbi 2000. Dhe pjesëmarrja tregon diçka. Unë nuk e kam pasur kurrë qëllim pjesëmarrjen, por tregon gjithsesi që njerëzit kanë nevojë të kthehen te gjërat e thjeshta, të identifikohen te diçka që i përfaqëson”, ka thënë Sata për albinfo.ch.

Vlashent Sata, këngëtari shqiptar që jeton në Paris, njihet për vullnetin që ka për të kontribuar në atdhe, siç është rasti me “ZA Fest-in”, për të cilin ai ka thënë se lindi rastësisht. Së fundmi, ai ka marrë pjesë edhe në një panel në DokuFest, gjatë të cilit u vlerësua nisma e tij “Za Fest”, që po konsiderohet se e ka gjallëruar Thethin.

Rikujtojmë se projekti më i ri muzikor i këngëtarit Sata, është kënga “Me jetu”, të cilën ai ka thënë se në radhë të parë e ka shkruar për veten.