Zgjedhjet serbe dhe heshtja e Kosovës Zgjedhjet serbe dhe heshtja e Kosovës
Sovrani.info Mbajtja e zgjedhjeve serbe ne Kosovë sërish dëshmoi defansivën e udhëheqjes kosovare në raport me Beogradin. Mbase është rast unik në botë që... Zgjedhjet serbe dhe heshtja e Kosovës

Sovrani.info

Mbajtja e zgjedhjeve serbe ne Kosovë sërish dëshmoi defansivën e udhëheqjes kosovare në raport me Beogradin. Mbase është rast unik në botë që një shtet të mbajë zgjedhje ne territorin e shtetit tjetër. Kjo ndodhë vetëm në Kosovë, ndërsa arsyetimet në formën – nuk ka pasur zgjedhje, por vetëm grumbullim të votave nga OSBE-ja, dyshtetësia e të ngjashme nuk pijnë ujë. Edhe më grotesk është tentimi i disa eksponentëve të LDK-së, që reagimin e partive opozitare për cenimin e Kushtetutës dhe sovranitetit të Kosovës, ta cilësojnë si preokupim të tyre me zhvillimet në Serbi. Kjo do të mund të qëndronte nëse serbët nuk do të votonin, por të thuash se nuk na interesojnë zhvillimet në Serbi, ndërsa serbët e Kosovës votojnë thuajse janë në Shumadi, kjo është për keqardhje dhe vetëm dëshmon synimin e lidershipit të LDK-së që para dhe gjatë zhvillimeve të tilla, që cenojnë sovranitetin e Kosovë, të kalohet përmes heshtjes dhe mbylljes së syve. Derisa LDK-ja qortoi ata që reaguan ndaj këtij cenimi drastik, PDK-ja heshti.

Meqë reaguan kundër atyre që kritikuan lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, LDK-ja do të duhej t’i shpjegonte opinionit kosovar se në cilin shtet ballkanik ose evropian praktikohet kjo që ndodhi dje me votimin e serbëve. Të gjitha shtetet ballkanike, përjashto Shqipërinë, janë multietnike, por nuk lejojnë praktika të tilla që në thelb prekin integritetin dhe sovranitetin, për të mos thënë edhe dinjitetin e një populli dhe shteti.

Por, çështja është më e thellë dhe daton shumë më herët, kur u fillua me logjikën e kërkesave të ndërkombëtarëve për koncesione të Kosovës. Arsyetimi ishte se ky ishte çmimi i pavarësisë. Nëse pakoja e Ahtisarit deri diku edhe mund të kuptohet, koncesionet e mëtejme që filluan me bisedimet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, janë krejtësisht të huqura dhe gradualisht janë duke cënuar dhe minuar shtetësinë. Zgjedhjet serbe në Kosovë janë pjesë e koncesioneve që Kosova bëri tash sa vite në raport me Serbinë. Por, çfarë morri si kompensim Kosova për këto koncesione të dhembshme. Asgjë, pos deklarimeve shovensite serbe se kurrë nuk do të njohin pavarësinë e Kosovës, refuzimit të reciprocitetit dhe veprimeve e deklarimeve tjera deri në racizëm, siç është barazimi që Daçiq i bëri Kosovës dhe ISIS-it. Bisedimet e Brukselit kishin obliguar Serbinë të mos pengonte anëtarësimin e  Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Dhe çfarë ndodhi…në prag të anëtarësimit në UNESCO, Serbia ndërmori fushatë të egër duke mos lërë gurë pa lëvizur për të penguar hyrjen e Kosovës në këtë organizatë dhe këtë ia arriti. Prishtina dhe Brukseli sërish heshtën, ndërsa askush nuk e pa të arsyeshme të dilte së paku me një prononcim publik, se kjo nuk ishte në frymën e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Për çfarë normalizimi të raporteve Kosovë – Serbi, flasin eksponentët e bisedimeve, kur nuk kalon ditë pa dëgjuar politikanë serbë duke thënë që Kosova na qenka “djepi serb” dhe “krahina jugore e Serbisë”.

Është e habitshme që përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet e Brukselit ende nuk kanë hapur çështjen e kërkim-faljes nga Serbia për gjenocidin dhe krimet e luftës dhe dëmshpërblimin për dëmet e luftës. Duke heshtur krimet serbe, gradualisht Serbia forcoi pozicionet në bashkësinë ndërkombëtare, deri në masën që arriti të realizoi synimin për ngritjen e Gjykatës Speciale për Kosovën. A ka më absurd që për popullin i cili u vra, masakrua dhe dëbua të ngritet Gjykatë Speciale. Shpjegimet se Gjykata do të “pastrojë” luftën e UÇK-së janë fjalë boshe dhe narkozë për naivët. Deri më sot nuk ka ndodhur që për një ushtri çlirimtare, siç ishte UÇK-ja, të ngritet Gjykatë Special. Nëse u dashke të “pastrohet” UÇK-ja, përse kjo nuk u bë gjatë kohës së UNMIK-ut dhe EULEX-it? Ata kishin gjithë pushtetin. Përse nuk e kanë bërë një gjë të tillë?Apo kjo është edhe një manovër tjetër për të satanizuar UÇK-në, Kosovën dhe pastaj për të goditur shtetësinë e Kosovës, me të cilën kurrë nuk u pajtuan kundërshtarët e intervenimit të NATO-s, në Lindje dhe Perëndim.

Gjenezën e gjithë këtyre zhvillimeve, që nuk premtojnë asgjë të mirë, duhet kërkuar te logjika e koncesioneve të vazhdueshme të elitës politike të Kosovës në raport me Serbinë. Zgjedhjet serbe në Kosovë janë vetëm vazhdimësi e koncesioneve që është duke i bërë Kosova dhe të cilave mjerisht nuk u shihet fundi dhe as epilogu përfundimtar./sovrani.info